Polonia në Katar ka arritur suksesin më të madh në 36 vitet e fundit duke u vendosur në 1/8 e Botërorit, pra në mesin e 16 skuadrave më të mira në botë. Aty do të eliminohej nga Franca. Menjëherë pas kthimit në atdhe, ka ndodhur një skandal sa i përket premiove të premtuara, teksa kryeministri i vendit në Poloni u shpreh se do t’i jepte bonus lojtarëve për arritjet e tyre. Por në fund, ky bonus po kërkohet ende nga futbollistët pasi nuk ka mbërritur.
Skandali i premios ende nuk ka përfunduar në Poloni dhe tani një gazetar vendas ka thënë se nuk ka parë kurrë frikacakë më të mëdhenj se kombëtarja e vendit të tij. Szymon Jadcak u shpreh: “Para shpërthimit të këtij skandali, por edhe pas tij, kam kontaktuar disa përfaqësues të Polonisë. Zyrtarisht mund të them se nuk njoh frikacakë të tillë si lojtarët e Polonisë. Kam takuar shumë njerëz në Poloni që merren me profesione të ndryshme, por nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Frika midis lojtarëve polakë duhet të jetë një nga karakteristikat e tyre kryesore. Sikur ata të thonin ne jemi milionerë, jepini këto fonde për fëmijët e sëmurë apo që kanë nevojë për to më shumë se ne”, tha gazetari polak. /Sport Ekspres/