“Po të ishte Kahrimanoviçi dhe Zeka, ndeshja do kishte histori tjetër“, flet Deliallisi: Ishte si një lojë shahu

Erzeni dhe Laçi janë përballur sot në kuadër të javës së 10 të “Abissnet Superiore“-s. Ndeshja është zhvilluar në “Arenën e Demave“, me Laçin në rolin e ekipit pritës. Skuadrat janë ndarë në baraspeshë pas vërshëllimës së trefishtë të gjyqtarit. Ndeshja nuk prodhoi gola, megjithëse rastet nuk munguan në të dy krahët.

Si Erzeni, ashtu edhe Laçi, luajtën për të marrë fitoren, por në fund arritën të merrnin vetëm një barazim 0-0. Kurbanisit mbeten ende në vendin e tretë në renditje me 14 pikë të grumbulluara, ndërsa shijakasit shkojnë në vendin e 7 me 12 pikë të grumbulluara. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore“ në “MCN TV“.

Deliallisi (Erzeni): “Ishte një ndeshje si lojë shahu, ashtu siç shkoi loja. Ne patëm më shumë raste dhe mund ta fitonim ndeshjen. Megjithatë rezultati i drejtë është barazimi. Çdo gjë varet na stërvitja, mund të impovizojmë. Duke qenë se nuk kemi që qendërsulmues, do të fusim atë që është më në forëm. Por duhet theksuar edhe mungesa e Kahrimanoviçit. Po të ishte Kahrimanoviçi dhe Zeka, do të  kishte një histori tjetër ndeshja“.

Josa (Laçi): “Në pjesën e parë duhet të ishim më të vëmendshëm, për sa i përket sulmit. Ishte e vështirë, sepse skuadra kundërshtare mbrohej me 5 lojtarë. U përpoqën të na kapnin me kundërsulme, jo me aksion të organizuar. Duhet të kishim luajtur më shpejtë. Penetrimi në zonën kundërshtare duhet të ishte qoftë në kohën e duhur, qoftë vendin e duhur. Ky ishte problemi. Kur erdhën ato 5 minutat e fundit… Unë nuk doja t’i rrezikoja të gjitha. Diferenca u bë komplet në pjesën e parë, e cila nuk ishte aq e mirë për ne. Nuk është problemi te rruga e rrjetës. Problemi është te zgjidhjet që duhet të japim ne për të shkuar te rruga e rrjetës. “./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *