Po për Këlcyrën e Kukësin a ka reagim Shoqata e Gjyqtarëve?

Shpëtim Duro e teproi, akuzoi disa arbitra se gjykojnë në mënyrë tendencioze, se shohin mirë ngjyrën e fanellës para se të fishkëllejnë faull a penallti. E tmerrshme, si mund të thuhet një gjë e tillë për arbitrat tanë të pavarur? Reagoi urgjent Shoqata e Gjyqtarëve (Po, ekziston!) dhe kërkoi dënim për trajnerin e Flamurtarit. Mundësisht një dënim nga ata që Duron të mos e zërë gjumi natën. Kjo Shoqata nuk kishte dalë asnjëherë më parë që të ankohej, edhe pse me zë e figurë ka pasur trajnerë e presidentë që akuzonin arbitra për korrupsion.

Kjo Shoqata e famshme nuk u ndje as dje, kur u fal Këlcyra. Do falej se s’bën, fundja çfarë janë pak grushte e shkelma dhe tmerri që përjetoi ai arbitri fatkeq në Përmet? Imagjinoni tmerrin që ka parë familja e tij me videot në rrjetet sociale, mirë arbitri që për pak u bë dëshmor.

Shoqata e nderuar nuk reagoi dje as për deklaratën e Kukësit: Enea Jorgji është i korruptuar, e ka blerë Kamza! Pikërisht Enea Jorgji, kuptuat?

Mirë do ishte që kjo Shoqata të shkrihej fare, ashtu si Disiplina, Apeli dhe Etika, ose të merren me ndonjë sport tjetër, badmington ose kriket, për shembull. Të gjitha organe qesharake, me njerëz pa burrëri e kualifikim profesional. E dimë që rrezikojmë pezullim për ca ndeshje, por si tha Duro në Korçë, “nuk do na zërë gjumi nja tre net rresht”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *