“Po më mallkonin nga nëna dhe babai”! Sjellja skandaloze në Rumani, po ofendojnë lojtarët shqiptarë: U soll keq edhe një lojtar kundërshtar

Rivaliteti dhe zjarri i ndezur mes Kosovës dhe Rumanisë po vazhdon, pavarësisht përfundimit të ndeshjes dhe vendimit të dhënë nga ana e UEFA-s. Lojtarët shqiptarë të Kosovës që luajnë në Rumani po përjetojnë një moment ferri në stadiumet ku gjenden çdo fundjavë. Këtë herë vështirësinë e madhe e kaloi Astrit Selmani, sulmuesi i Dinamo Bukuresht, që si për ironi të fatit kryeson listën e golashënuesve në kampionatin rumun.  Ndeshja kundër Petrolul përfundoi në shifrat 0-1, ndërsa goli i vetëm në transfertë u shënua nga ana e Selmanit.

Ai tregoi pas ndeshjes se vendasit kanë ofenduar gjithë familjen e tij pas asaj që ndodhi në Ligën e Kombeve, vetëm për shkak të origjinës. “Duhej të kishim shënuar katër ose pesë gola, nuk kam pasur kurrë në karrierë kaq shumë raste të pastra. Luajta mirë, diferenca në fushë ishte shumë herë më e madhe nga ajo që tregon rezultati. Ata më mallkuan nga nëna, babai, motra. Një nga lojtarët e tyre mi vështirësoi akoma edhe më shumë gjërat, Marian Huja. Tifozët po më fyenin dhe po më provokonin, por nuk është hera e parë që më shajnë në këtë mënyrë”, tha Selmani. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/