Po kthehemi në identitet, apo është faji i Panuçit?

Jemi Shqipëria, të mos e harrojmë kurrë. Jemi të vegjël, shumë të vegjël, nuk kemi traditë, nuk kemi histori të madhe, nuk kemi një shkollë futbolli dhe kemi një kampionat të dobët, të varfër, që tashmë rrezikon të shkatërrohet edhe më keq nëse konfirmohet dënimi i Skënderbeut nga UEFA.

Po atëherë, si u ngjitëm në Olimp në 2016? Shumë gjëra u bënë bashkë, gjithçka na shkoi mbarë, gjetëm edhe trajnerin e duhur, kishim edhe brezin e duhur. Kishim shqiptarë, të gjithë të bashkuar, kishim një brez të shkëlqyer, patëm edhe fat ose ndonjë dron.

Tani nuk kemi asgjë prej tyre: De Biazi ka ikur, Cana me shokë nuk janë më, Kosova është kombëtare më vete dhe krejt papritur e kuptuam që nuk prodhojmë thuajse asgjë, hiq ndonjë Guri a Abazaj si pa dashje, ndonjëherë.

Nuk kemi as trajner, do thonë shumë njerëz. Edhe kjo qëndron: Panuçi nuk është De Biazi, këtë e kemi kuptuar. Eksperienca i mungon, takti i mungon, mentaliteti është shumë larg nesh, taktikisht është zero, me aq sa kuptojmë. A është ai fajtori i madh? Ka shumë faj Panuçi, por nuk është i vetëm në këtë dramë, në këtë tunel ku jemi futur, aq sa Kosova na jep leksion dhe Ukraina zbavitet me gjysmë formacioni.

Çfarë ndodh kur bëhen bashkë të gjithë faktorët negativë të mundshëm? Një çorbë totale, ku askush nuk shpëton, sepse edhe FSHF-ja, edhe lojtarët, fluturojnë duke kërkuar Europianin e Botërorin. Ta fiksojmë mirë në mendje: NUK KEMI SHANS TË PËRSËRITIM EURO 2016!

Më mirë të mendojmë për rindërtim dhe për rregullim, ndoshta duke nisur nga një trajner tjetër. Më mirë masa të ashpra sa nuk është vonë, sesa të zvarritemi si para 20 vitesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *