Armando Broja nuk luajti në përballjen kundër Anglisë në Wembley, teksa u dërgua në tribunë nga Reja. Arsyeja kryesore ishte fakti se sulmuesi bëri shumë pak minuta stërvitje para takimit për shkak të problemeve të dëmtimit, ndërsa trajneri zgjodhi që të mos ishte në fushë. I ftuar në emisionin “Skaner”, Pano Xhixho është shprehur se Broja ka thënë se nuk do të vijë më te Shqipëria për sa kohë që të jetë Reja si trajner.
“Po ju zbuloj se çfarë ka thënë Armando Broja te rrethi i ngushtë. Ka thënë se për sa kohë që të jetë Reja si trajner, nuk do të vij më në Kombëtare. Nuk është 100% e sigurt, por janë burime të afërta. Nuk është marrëdhënie dashurie mes tyre, ndaj Polonisë madje Broja u nervozua dhe ka hedhur jelekun. Ka kërkuar gjithmonë që të jetë titullar dhe Reja e spostonte vëmendjen. Ndoshta duhet të ul kokën dhe të mësojë”, tha Xhixho. /Sport Ekspres/