Reja ka dhënë një intervistë së fundmi në emisionin “Skaner” që transmetohet në “MCN TV”. Teksa ka folur për aventurën në Ligën e Kombeve dhe njëkohësisht për grupin e ri në eliminatoret e Europianit, një temë më vete nuk kishte sesi të mos ishte Armando Broja. Po çfarë mendon trajneri i Shqipërisë për këtë sulmues dhe a është ky lojtari me të cilin do të fillojë gjithmonë formacioni i Kombëtares?
“Jo, për mua Armando Broja është një lojtar siç janë të gjithë të tjerët. Sigurisht që është një hap para të tjerëve për shkakun e fizikut të tij dhe aftësive që zotëron, por nuk ndahet nga pjesa tjetër. Nuk ka asnjë histori mes meje dhe tij, por jeni ju që jepni mbivlerësime për disa lojtarë. Broja vërtet luan te Chelsea, por luan nga 20-30 minuta dhe duhet të gjej kondicionin. E njëjta gjë edhe për Asllanin te Interi që luan vetëm nga një pjesë. Broja nuk e ka ritmin e garës. Luan 20 minuta, por kurrë për 90 minuta. Nuk luajtur asnjë ndeshje të vetme nga fillimi. Është si puna e dritës që herë ndizet dhe herë fiket”, tha Reja. /Sport Ekspres/