Përpara Asamblesë së KOKSH dhe zgjedhjes së presidentit të ri do të plaste skandali teksa u përjashtuan 23 Federata që ishin anëtare dhe që i kanë sjellë suksese Shqipërisë. Mes tyre ishte edhe FSHF, ndërsa Armand Duka ka reaguar me letrën publike duke treguar se çfarë nuk po shkon dhe njëkohësisht për marrjen peng nga politika, ku mes kandidatëve është edhe Fidel Ylli.
“Federata Shqiptare e Futbollit shpreh shqetësimin e saj për situatën e krijuar në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar përpara asamblesë zgjedhore.
Caktimi i datës së zhvillimit të saj në kulmin e fushatës së zgjedhjeve politike, vetëm 7 ditë përpara datës 25 prill, është një veprim që synon të ndikojë politikisht në rezultatin e tyre.
Ne e kemi kundërshtuar përfshirjen në kandidim për president të një deputeti që synon të zgjidhet përsëri në listën e PS. Ky është një politizim i hapur dhe shumë i dëmshëm për një organizatë sportive, që në statutin e saj përcaktohet si apolitike. Është e qartë që edhe vetëm kandidimi i një personi me pozicionim të qartë partiak është një faj i rëndë.
Opinioni sportiv është njohur me tentativën e një komisioni anonim, që kërkon të ndikojë në procesin zgjedhor duke përjashtuar nga kandidimi dhe votimi individë dhe 23 federata anëtare të KOKSH. Kjo është një tentativë jo statutore që synon të ndryshojë votuesit dhe listën e kandidatëve për ti hapur rrugë manipulimit të zgjedhjeve. FSHF dëshiron ti bëj të qartë iniciatorëve të këtyre veprimeve se, nëse vazhdojnë me këto veprime, do të kallzohen penalisht në gjykatë.
FSHF i fton të gjithë anëtarët e KOKSH që të përdorin të drejtën e tyre të votimit për të ndryshuar historinë e deritanishme të kësaj organizate dhe për ta rikthyer atë në rrugën e ligjshmërisë.
Nëse dikush mendon se mund të përdorë presionin politik mbi anëtarët e Asamblesë apo se mund të manipulojë zgjedhjet, atëherë le të bëhemi bashkë për të treguar forcën dhe vullnetin tonë në dobi të sportit dhe drejtësisë.
KOKSH është organizata jonë dhe jo e atyre që e kanë marrë peng politikisht dhe duan të vazhdojnë ta mbajnë peng edhe në të ardhmen”, shkruhet në reagim.