Golat e shënuara nga Myrto Uzuni me Ferencvaroshin gjatë këtij sezoni nuk janë vetëm një ndihmesë për këtë skuadër, por njëkohësisht edhe “përfitim” për vetë lojtarin që të shkruhet në librin e historisë. Sulmuesi shqiptar ka realizuar 4 gola radhazi në ndeshjet e fundit dhe kjo nuk ndodhte që prej sezonit 2017-2018 te Ferencvarosh, atje ku Roland Varga dhe Daniel Bode arrinin që të shënonin në 4 ndeshje radhazi.
Faqja zyrtare e Ferencvaroshit ka cilësuar njëkohësisht edhe sondazhin e bërë në fundin e vitit nga ana e “Sport Ekspres”, atje ku rezultoi Myrto Uzuni si sportisti i vitit që lamë pas. “Me ndeshjet e zhvilluara, Myrto Uzuni i bashkohet klasikëve tanë si Albert Florian dhe Tibor Nyliasi”, shkruhet në faqen zyrtare.
Një vlerësim legjendash për lojtarin shqiptar që vjen nga klubi hungarez, teksa Albert Florian njihet me emërtimin “Perandori” në Hungari, duke u cilësuar si një nga futbollistët më elegant të të gjitha kohërave. Albert ka ndërruar jetë në vitin 2011 dhe la pas 256 golat e shënuara me Ferencvaroshin. Nëse Uzuni do të arrijë që të shënojë edhe ndaj Ferhervar, atëherë do ta ngjisë edhe më tepër emrin në librin e rekordeve për t’u mbajtur mend gjatë te Ferencvarosh. /Sport Ekspres/