“Po e bëj për Realin”! Toni Kros largohet nga Kombëtarja pas 106 ndeshjeve, tregon pengun: Doja të luaja 109 ndeshje

Toni Kros është larguar përfundimisht nga Kombëtarja e Gjermanisë. Ndeshja e tij e fundit ishte përballja e humbur kundër Anglisë në shifrat 2-0. Vendimi ishte marrë më herët nga mesfushori 31-vjeçar që do ta mbyllte me “pancerat”, ndërsa për të gjithë ata që prisnin një ndërrim të vendimit për të qenë pjesë edhe në Botëror, nuk rezulton e tillë.

Vetë lojtari ka zyrtarizuar largimin nga Gjermania dhe pengun e vetëm ka faktin se janë eleminuar nga Europiani pa prekur finalen në kompeticionin e tij të fundit. “Unë kam luajtur 106 ndeshje për Gjermaninë dhe nuk do të ketë më ndeshje për mua. Me të vërtetë doja një total prej 109 ndeshjeve për të fituar Kampionatin Evropian. Sidoqoftë, e mora vendimin për të dhënë dorëheqjen disa kohë më parë. Ka qenë prej kohësh e qartë për mua se nuk do të luaj në Kupën e Botës 2022 në Katar.

Kjo është kryesisht për shkak se unë dua të përqendrohem plotësisht në arritjen e qëllimeve të mia me Real Madrid gjatë disa viteve të ardhshme. Falë kësaj, tani do të kem më shumë pushime që nuk mund t’i përballoja ndërsa luaja për ekipin kombëtar. Për më tepër, si burrë dhe baba, do të doja të kaloja më shumë kohë me gruan dhe tre fëmijët e mi. Ishte një nder i madh për mua të vishja këtë bluzë për kaq gjatë. E bëra me krenari dhe pasion”, shkruan Kros. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *