Po akuzohet për transferim të paligjshëm nga Santos, Neymar befason në gjykatë dhe ia lë të gjithë fajin babait: Bëra atë që më tha

Neymar u shfaq dje në Barcelonë në gjyq për shkak të dyshimeve për veprime të paligjshme në transferimin e tij nga Santos. Braziliani mbërriti në Barcelonë në verën e vitit 2013 nga Santos për gati 90 milionë euro, por dyshohet se për ardhjen e tij u shpenzuan shumë më tepër para sesa u treguan realisht.

Në këtë rast, përveç Neymarit, janë akuzuar edhe babai i tij, i cili është edhe menaxheri, si edhe Sandro Rossel apo Josep Maria Bartomeu, të cilët atëherë ishin në poste drejtuese në Barcelonë. Rossel dhe Bartomeu negociuan me babanë e Neymar dhe përfundimisht arritën një marrëveshje.

Kompania e investimeve DIS, e cila në atë kohë kishte 40 për qind të të drejtave të lojtarit, po kërkon një dënim me dy vjet bu.rg për lojtarin që aktualisht luan për PSG-në, sepse ata shprehen se nuk i kanë marrë paratë nga transferimi që iu takonte.

Ata akuzuan për pastrim parash dhe evazion fiskal, të cilat u kryen si pjesë e transferimit te Barcelona. Në kuadër të kësaj procedure, prokuroria kërkon pesë vite burg për Rosellon dhe dy vjet për Neymar. Megjithatë, Neymar nuk dukej shumë i shqetësuar në gjyq dhe ai u shfaq në bankën e të akuzuarve këtë mëngjes kur dha dëshminë e tij.

Ajo që befasoi shumë ishte se Neymar deklaroi se ai nuk kishte të bënte me transferimin dhe marrëveshjet e parave dhe se gjithçka ishte rregulluar nga babai i tij. Nuk është e qartë nëse ai ishte dakord me babain e tij që ai të merrte të gjithë fajin mbi vete apo vendosi vetë të distancohej nga gjithçka.

“Kam pasur mundësinë të nënshkruaj për Real Madridin, por zemra ime më çoi në Barcelonë. Barça ka qenë gjithmonë ëndrra ime, edhe kur isha djalë ëndërroja të luaja në atë klub. Megjithatë nuk kam pasur kontakt me negociatat, kam bërë vetëm atë që më ka thënë babai, kam firmosur dokumentet që më ka thënë të firmos”, tha Neymar. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *