Te Kombëtarja Shqiptare janë shumë entuziast përpara nisjes së kualifikueseve të Botërorit. Në konferencën për shtyp gjatë ditës së sotme ishte i pranishëm edhe Klaus Gjasula. Mesfushori i Kombëtares është shprehur se kuqezinjtë janë “shkrirë” për të qenë një “trup i vetëm”, ndërsa i vetmi ndryshim nga e kaluara është stërvitja në Barcelonë para ndeshjes me Andorrën.
“I vetmi ndryshim për mua është që u takuam në Barcelonë dhe jo në Shqipëri. Jemi po të njëjtit, i njohim futbollistët përveç dy afrimeve të reja që na kanë ardhur. Ne besojmë se me këto paraqitjet e fundit kemi mundësinë për ta nisur me këmbën e mbarë. Do të ishte ndryshe nëse do e nisnim me Anglinë menjëherë, do të ishte shumë e vështirë. Nëse jemi të përgatitur edhe në aspektin psikologjik, atëherë do të fitojmë me Andorrën. Nuk jam në 100% tim se tani vonë kam ardhur në stërvitje me klubin, por për aq minuta sa do të aktivizohem do të jap më të mirën. Tani ndihet se po i afrohemi më shumë njëri-tjetrit, e kemi treguar edhe në këto ndeshjet e fundit”, u shpreh Gjasula. /Sport Ekspres/