Plotësoi ëndrrën të luante përballë Ronaldos, fati i heq Uzunit shansin të ndajë fushën me Mesin

Myrto Uzuni po përjeton sezonin e tij të ëndrrave me Ferencvaroshin. Që në momentin që mbërriti në Hungari, sulmuesi shqiptar zuri vendin e tij në skuadër, ku nga ndeshja në ndeshje tregon cilësitë e tij të mëdha. Një rrugëtim i bukur me kampionët hungarez në Europë, që finalizohet me mbërritjen në grupet e Champions League, ku një meritë të madhe në këtë arritje i takon edhe Uzunit për goalt e tij.

E kur ëndrra e tij u bë realitet, shorti ia zbukuroi më tepër ditën, teksa i vuri përballë dy skuadra si Juventus dhe Barcelona, që i ofronin mundësinë të ndeshej me dy më të mirët e botës, Mesin dhe Ronaldon. Me këtë të fundit, idhullin e tij, ia doli të zbriste në të njëjtën fushë dhe madje të shënonte përpara syve të tij, ndërsa me yllin argjentinas fati nuk ia jep këtë mundësi.

Në takimin e parë me katalanasit Uzuni ishte duke ndjekur karantinimin për shkak të infektimit me Covid-19. Por nëse talenti shqiptar do të mbetej i kënaqur të ndante fushën me Mesin mbrëmjen e nesërme, këtë mundësi ia heq trajneri Koeman. Holandezi ka lënë jashtë listës së lojtarëve të grumbulluar kapitenin e Barcelonës dhe kjo për shkak se dëshiron t’i japë pak momente pushim. “Në pjesën e mbetur të sezonit nuk mund të pushojë”, ishin fjalët e Ronald Koeman në konferencën ëpr shtyp, duke shpjeguar se ndaj Ferencvaroshit është i vetmi moment kur Mesi mund të karikojë energjitë e tij./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *