Trajneri shkodran Elvis Plori ka pasur një takim me drejtuesit dhe nuk është gjetur marrëveshja.
Erzeni ju rikthye ditën e sotme seancave stërvitore. Skuadra është drejtuar nga zv. trajneri Troplini, ndërsa tekniku Elvis Plori i zyrtarizuar nga klubi pak ditë më parë ka munguar dhe nuk do ta marrë drejtimin e skuadrës shijakase. Marrëveshja nuk është konkretizuar dhe tashmë Erzeni po sheh për alternativa. “Sport Ekspres” mëson se nesër drejtuesit do të takohen me Nevil Dedën, trajnerin e kombëtares U-19 për femra, i cili mund të marrë qoftë edhe deri në fund të sezonit drejtimin.
Me shijakasit është zyrtarizuar tashmë portieri Elson Demi i ardhur nga Besëlidhja, një “gardian” mjaft cilësor dhe me eksperiencë.
Endri Lala, edhe pse disa ditë më parë u bashkua me Kastriotin në stërvitje, i është rikthyer sërish stërvitjes me Erzenin.
Fatjon Shkëmbi është një tjetër afrim. Sulmuesi i ardhur nga Kategoria e Dytë spikati me Vorën dhe Erzeni nuk ka ngurruar ta bëj të vetin.
Stërvitja e sotme (djeshme) u prit me interes të lartë nga tifozët që kishin mbushur shkallët e stadiumit. Kështu me nisjen e fazës përgatitore për pjesën e mbetur të sezonit Erzeni ka zyrtarizuar dy lojtarë. Shijakasit pretendojnë të futen në pesëshen e parë që e rrezikojnë seriozisht për herë të parë që pas rikthimit në kategorinë e parë.