Në prag të ndeshjes me Kievon, në “San Siro”, Xhenaro Gatuzo, trajneri i Milanit, ka përdorur një grusht të rëndë dhe, edhe pse mes shumë mungesave, vendosi që të përjashtojë nga lista e të grumbulluarve sulmuesin Nikola Kaliniç, që pritej ta niste titullar. Motivi? Sipas trajnerit kuqezi, kroati është paraqitur në stërvitjen e fundit pa dëshirë dhe entuziazëm, aq sa ka xhindosur Rinon.
Për këtë arsye, ai ka thërritur dy futbollistë të ekipit Primavera, më saktësisht portugezin Tiago Dias, që luan si sulmues krahu, një rol “alla Suso”, dhe zbulimin e këtij viti, të rikthyer pas dëmtimeve, Frank Tsaxhu, që është duke shkëlqyer me të rinjtë.
Me këtë lënie jashtë, Gatuzo i ka treguar Kaliniçit se, nëse nuk ndryshon “regjistër”, atëherë më mirë të bëjë gati valixhet.