Plas sërish skandali i Calciopoli-t, ish-kreu i Serisë A bën rrëfimin shokues: Dogja dosjet, kur erdhi financa nuk gjeti asgjë

Në Itali kanë dalë në dritë të tjera detaje nga operacioni i famshëm Calciopoli i ndodhur në vitin 2006. Juventusi u rrëzua në Serinë B si ndëshkim për parregullsitë e kryera në kampionat. Përpos “Zonjës së Vjetër”, gjithashtu u dënuan edhe Milani, Fiorentina dhe Lacio. Por duket se rrënjët kanë qenë më të thella. Masimo Celino, asokohe kreu i Serisë A, ka bërë një rrëfim shokues për “Report” në “Rai”.

Presidenti aktual i Breshias ka pranuar se në atë kohë ka pasur mjaft dosje me parregullsi nga shumë klube të elitës së futbollit italian. Për këtë arsye, ai pranon se ka djegur dosjet për të mos rënë në duart e financës.

“Po përpiqesha ta mbaja kasollen në këmbë, ajo po shembej. Fillova të pastroj të gjitha katrahurat që ishin atje, nuk dija nga të filloja. Ishim 6-7 presidentë, gjithmonë të mbledhur në Ligë, duke u përpjekur të organizonim kampionatin.

Kisha një kontejner me të gjitha dosjet: kush ishte i regjistruar me garanci false, i cili shkarkohej si IRPEF… Dolëm në shesh poshtë, ishte një bidon hekuri. Hodhëm gjithçka brenda dhe e dogjëm me trikloretileni. Financat u kthyen dhe nuk gjetën një m**. Dhe unë nuk isha as aty”, ka zbuluar Masimo Celino./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *