Te Barcelona ka plasur skandali me korrupsionin e arbitrave pasi dolën faturat e pagesave ndaj Negreira. Katalanasit rrezikojnë shumë deri në përjashtimin nga Europa. Nga ana tjetër, te Barcelona e kanë justifikuar gjithçka duke u shprehur se kërkonin vetëm këshilla nga Negreira dhe se kjo është praktikë që ndiqet kudo në botë. Por cili është reagimi i Real Madridi? Këta të fundit kanë njoftuar nëpërmjet deklaratës se do të bëjnë një mbledhje për të marrë vendim mbi këtë skandal.
“Për shkak të seriozitetit të akuzave të bëra nga zyra e prokurorit publik kundër Barcelonës dhe dy presidentëve të saj në lidhje me dyshimet legjitime për korrupsion dhe marrëdhëniet e tyre me ish-zëvendëspresidentin e Komitetit Teknik të Arbitrazhit, José María Enríquez Negreira, presidenti i Real Madridit ka thirrur një mbledhje urgjente të bordit për nesër, e diel, 12 mars 2023 në orën 12:00 për të vendosur se çfarë veprimi e konsideron Real Madridi të përshtatshëm në lidhje me këtë çështje”, shkruhet në deklaratë. /Sport Ekspres/