Plaku: Shortin e pritëm me ankth, ndeshjen e parë e donim jashtë

 

Kukësi vijon përgatitjet me intensitet në Slloveni. Nënkampionët morën të drejtën për të luajtur në Champions pas dënimit të Skënderbeut dhe pak ditë më parë njohën dhe kundërshtarin që do të kenë në raundin e parë. Blutë do të ndeshen me kampionen e Maltës, Valetën. Për sajtin e klubit, sulmuesi i afruar këtë merkato, Sebino Plaku, komenton shortin por dhe përgatitjet. 33-vjeçari beson shumë se do ta ndihmojë skuadrën e tij të re me eksperiencën që ka krijuar. Në të njëjtën kohë kryeqytetasi tregon dhe për aventurën e re që ka nisiur si “kuksian”.

Sebino, si do t’i përshkruani 10 ditët e para te Kukësi?

Paskan kaluar shumë shpejt 10-ditë. Me thënë të drejtën kanë qenë shumë intensive për mua. Gjëja e mirë është se grupi dhe stafi më kanë pritur shumë mirë. Që ditën e parë në komunikim me presidentin çdo gjë ishte e hapur, kështu që mendoj se ka qenë një pritje e mirë dhe po mundohem që këtë pritje të mirë t’ia kthej mbrapsht më përkushtim Kukësit.

Tashme dihet emri i kundërshtarit: Valeta e Maltës. Si e parashikoni këtë sfidë?

Të them të drejtën e kemi pritur shortin me ankth sepse ishin opsione të ndryshme. Mendoj se ka rënë një ekip që është në një ligë jo shumë të fortë por eksperienca na tregon që ekipet kampione qoftë në liga jo aq të forta janë goxha ekipe të mira, kështu që i japim respekt maksimal ekipit të Valetës dhe po përkushtohemi vetëm për atë ndeshje.

Pritet shumë nga ju sepse keni zgjidhur shumë situata në ekipe të tjera, tashmë ka ardhur radha që të kontribuoni për Kukësin?

Normal, që në momentin e parë që kam marrë përsipër që të vij këtu ka qenë një sfidë. Më pëlqen sepse është moment që ne luajmë për të qenë në kualifikimet e Champions League-s. Këto ndeshje janë shumë të mira për çdo lojtar për të luajtur. Mendoj që kam goxha eksperiencë që do doja ta jepja për këtë ekip dhe pritshmëritë i kam jo vetëm te vetja por edhe te ekipi sepse lojtari s’mund të bëjë dot asgjë pa ekipin. Mendoj se koha është e përshtatshme që të sinkronizohemi me njëri-tjetrin dhe shpresojmë që të bëjmë diçka të mirë këtu në Kukës.

Ndeshja e parë do të luhet në Shkodër. Mendon që Kukësi duhet të përqendrohet maksimalisht që të zgjidhi një përqindje të madhe kualifikimi që këtu?

Po, e vërtetë është. Normalisht që çdokush do të donte që ndeshjen e parë ta luante jashtë. Ndeshja e parë nënkupton gjysmën e punës. Kjo na jep akoma më shumë përgjegjësi sepse do të jemi në tokën tonë, edhe pse jo në stadiumin e Kukësit por në Shkodër, i cili mbetet një stadium me standarde europiane i cili do të na bëjë të shfaqim gjithçka çka kemi. Ndeshja e parë është me shumë rëndësi duke qenë se dhe trajneri e përmendi dje që nuk kanë rëndësi rezultatet e ndeshjes miqësore, vetëm ndeshja e Valetës.

https://www.facebook.com/FKKukesiAlbania/videos/1457756524369690/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *