“Pirlo? Duket si i mbyllur, por është bastard”, ish-mbrojtësi italian tregon anën tjetër të “il maestro”-s

Pirlo vari këpucët në gozhdë disa vite më parë, por duke lënë pas një histori të tërë. Nga këmbët e tij dhurohej vetëm magji që vinte në zbatim imagjinatën e mrekullueshme të futbollistit. Tejet i qetë dhe serioz në fushën e lojës, “il maestro” të jepte gjithnjë përshtypjen e një njeriu të tillë edhe jashtë futbollit. Në dukje si një person jo social që nuk qesh shpesh, por që në dhomat e zhveshjes dhe në jetën e përditshme është tërësisht e kundërta. Të paktën kështu shprehet ish-mbrojtësi Italian, Fabio Kanavaro.

Nëpërmjet një bisede në rrjetin e tij social në “Instagram”, ish-kampioni i botës ka treguar edhe për karakterin e Pirlos. Nëse fushën e mbushte me fantazi e pasime mjeshtërore, në dhomën e zhveshjes ia linte vendin humorit, duke argëtuar shokët e skuadrës. Madje Kanavaro shkon deri atje sa e quan edhe bastard, sigurisht që në mënyrë shoqërore.

“Pirlo? Ai është një bastard, unë mund të them këtë.(qesh). Është delikat, ka batutën përbrenda. Është argëtues, nuk është një njeri i mbyllur e jo-social siç duket. Është shumë shoqëror”, ka thënë Kanavaro./Halit Delibashi-Sport Ekspres/