Pesë ndeshje për 12 ditë, Guardiola ironizon Premier League: I kam shkruajtur një letër falenderimi

Premier League ka një klendar të ngjeshur këtë fundvit, ku klubet nuk do të mund të pushojnë për festat siç ndodh me kampionatet e tjera. Kjo gjë e ka mërzitur së tepërmi trajnerin Guardiola, që ka ankesa për mënyrën se si janë organizuar ndeshjet këtë periudhë. Manchester City duhet të zhvillojë 5 ndeshje në më pak se 2 javë, duke nisur nga 27 dhjetori deri në 7 janar. Në mënyrë ironike, tekniku spanjoll është shprehur se i ka dërguar një letër falenderimi Premier League-s në lidhje me këtë temë.

“I shkruajta një letër falenderimi Premier League-s. Pas ndeshjes me Wolverhampton do të futemi në frigorifer dhe do të presim aty deri në fillimin e ndeshjes me Sheffield. Kemi pushim të dielën. NË 23 dhe 24 dhjetor kemi stërvitje. Në mbrëmjen e 24-ës dhe mëngjesin e 25 dhjetorit jemi të lirë. Në 26 stërvitemi dhe në datë 27 do të përballemi me Wolverhampton”, ka thënë Guardiola./Sport Ekspres/