FSHF ishte e pranishme në takimin që është bërë me arbitrat e Superiores dhe Kategorisë së Parë, sa i përket punës së deritanishme. Sekretari i përgjithshëm, Ilir Shulku, ka qenë prezent për të monitoruar më nga afër situatën.
Në drejtimin e shefit të sektorit të arbitrave, Sokol Jareci, është folur për gabimet që janë bërë deri tani. Kështu në këtë takim të zakonshëm, gjyqtarët duhet të argumentonin me fjalët e tyre dhe të shpjegonin në vendimet jo të duhura që kishin marrë, se përse e kishin bërë një gjë të tillë. Por gjithashtu kanë marrë këshillat që si të dalin nga kjo gjendje e vështirë, ndërsa ndryshimi premtohet që nga Kupa.
“Sot jemi mbledhur këtu me arbitrat e Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë. Ne mblidhemi çdo muaj me arbitrat, por këtë herë përkon me një situatë jo të zakonshme në lidhje me performancat e tyre. Kjo pasi në 4 javët e para të sezonit të ri, arbitrat kanë gabuar në disa ndeshje dhe një nga arsyet se përse jemi mbledhur sot është që të japim argumentet se përse është gabuar dhe për rrugën sesi të dalim nga kjo situatë jo normale. Jemi mbledhur për pjesën teorike dhe atë praktike, për të dëgjuar arbitrat përse kanë gabuar dhe për të dhënë instruksionet tona që si të dilet nga gjendja dhe duke nisur nga ndeshjet e Kupës, të kthehemi në normalitet”, tha Jareci. /Sport Ekspres/