Armando Broja nuk ka vazhduar shkëlqimin e tij te Kombëtarja Shqiptare si në Holandë. Sulmuesi i Viteshes ishte futbollisti shqiptar më në formë sa i përket golave të shënuara, por këtë herë zhgënjeu me kuqezinjtë.
Madje më tepër do të ofronte në ato 10 minuta aktivizimi kundër Andorrës pasi krijoi aksionin e rrezikshëm në bazë të aftësive tërësisht individuale. Në ndeshjen me Anglinë ishte tërësisht për t’u harruar, ndërsa nuk arriti që të linte gjurmë as kundër San Marinos.
Sigurisht që dy kundërshtarët modest luajtën futboll mbrojtës dhe me gjithë ekipin të kthyer mbrapa, ndërsa Armando Broja po shkëlqen në Holandë ku luhet një tjetër lloj futbolli, më i hapur. Astrit Hafizi ia ka faturuar trajnerit Reja edhe këtë formë të dobët te Kombëtarja të Brojës, teksa u shpreh për “Supersport”:
“Nuk bëhet loja kështu. Nuk mbahen tre mbrojtësa mbrapa që rrinin kot, pa asnjë sulmues fare. Ishte njëri më parazit se tjetri se nuk kishin askënd për të mbajtur dhe nuk dilnin as në mesfushë. Nuk bind loja. Themi gjithmonë “detyrat e shtëpisë”, “detyrat e shtëpisë”. Loja nuk bind fare dhe pjesa e parë ishte e dobët.
Broja në formë të dobët te Shqipëria? Po lojtari çorientohet duke i ndryshuar skemën gjithmonë, duke e futur në një ndeshje dhe duke e ulur në stol në tre të tjerat dhe duke mos pasur komunikimin e duhur gjithë loja jonë. Broja është vetëm 19-vjeç dhe nuk zgjidh dot gjë i vetëm.
Ideja është si do rregullohet loja e sulmit, nga fryma e shenjtë? Duhet vrapuar si me top dhe si pa top njësoj. Duhet të ketë frymën e grupit Kombëtarja. A kishte ndonjë problem që të luanim ndaj San Marinos me skemën 2-4-4? Jo nuk kishte, se mjaftonin 2 mbrojtësa mbrapa për t’i ndalur”, u shpreh Hafizi. /Sport Ekspres/