Goli në gjak! Sërish protagonisht! Shkodrani nuk ndalet në misionin e tij dhe synon të shkruajë historinë: ngjitja në elitë, kur duhen edhe 2 javë nga fundi
Anton Cicani
Tani janë 22… Nuk po flasim për moshën, aspak! Historia aq e bukur, sa edhe e pabesueshme, është ajo që po shkruan një kampion brenda dhe jashtë fushe, që la Shqipërinë përpara një viti për t’iu kthyer Austrisë, “oazi i tij”, ose më saktë, aty ku ndihet i pathyeshëm, i frymëzuar, energjik dhe i uritur. Golat për të nuk kanë qenë kurrë problem, madje kanë qenë si ajo kafshata e përditshme, shpeshherë duke na mrekulluar sytë me roveshata, goditje nga jashtë zone dhe akrobacia, edhe pse statuja, në pamje të parë, të bën të mendosh e pyesësh veten “vërtet mundet ky që ta realizojë atë gol?!”. Po, ai mundet, sepse ai, Hamdi Salihi, ka lindur për të dërguar topin në rrjetë. E ka bërë që kur ishte fëmi dhe vazhdon ta bëjë edhe sot kur akrepat e orës kanë ecur dhe ka fryrë 34 qirinj.
Tani janë 22… Sigurisht, golat e shënuar. Dhe, nëse Vjener Nojshtad vazhdon të mbajë ende në jetë shpresën për t’u ngjitur në kategorinë elitare, merita është shkodranit, që nëse do t’i jepej leje, mund të fluturonte nga Austria në Shkodër, për të ndihmuar Vllazninë këto dy ndeshjet e fundit. Sonte, skuadra e tij barazoi jashtë fushe dhe aktualisht është në playoff për t’u ngjitur në Superligën austriake, teksa rivali kryesor vazhdon të jetë ish-skuadra e tij, Riedi.
Plot 22 gola në 32 ndeshje si titullar dhe vetëm 13 herë i zëvendësuar, por sigurisht për të mbrojtur rezultatin. Vjener ka shënuar 50 gola deri tani dhe thuajse gjysma i përket atij, Salihit, që i ka dhënë një thes me pikë. Ashtu si bëri edhe dje, edhe pse pengu se mund të ishin 3 pikë është i madh, pasi miqtë shënuan të parët dhe më pas u barazuan nga Uatens. Sigurisht, janë mbetur edhe 2 javë nga fundi i sezonit të rregullt në kategorinë e dytë, Salihi do të vazhdojë që të besojë dhe të udhëheqë ëndrrën e skuadrës së tij.
Me golin e sotëm, u bë (momentalisht) golashënuesi më i mirë, për momentin, i kampionatit austriak, dhe duke lënë poshtë sulmuesin e Riedit, Shabi, me 21 gola. Në korri,do të vinte goli i parë, për të mos u ndalur më. Sepse, përralla “Salihi” nuk ka fund… Epilogun do ta venosë vetë ai, kur të zgjedhë për të varur këpucët në gozhdë. Deri atëherë, faqet për t’u shkruar do të vazhdojnë të mbushen…