Në Angli kanë një jetë që e bëjnë: short i lirë në kupa, kush të ketë shansin të shkojë deri në fund, asnjë kufizim dhe vetëm një takim për të vendosur kush kualifikohet.
Prej vitesh e kanë imituar në Francë dhe kanë bërë një zgjedhje fantastike: qindra klube në garë, duke nisur që nga fshatrat e humbur, që kanë gjetur entuziazëm, sepse një ndeshje vendos gjithçka dhe nëse ke shansin të luash me rivalë të rangut tënd për disa ndeshje, më pas shorti mund të të vërë përballë edhe emra si PSG e Monako.
Prej disa sezonesh në Francë shohim klube të vegjël që kapin gjysmëfinalet apo finalen, ndërsa sot shkruhet një tjetër faqe e re në historinë e Kupës së Francës, sepse sot në mbrëmje do të luhet gjysmëfinalja e parë në histori mes dy ekipesh që luajnë në Kategorinë e Tretë.
Luhet Les Herbiers-Chambly, as emrat nuk dimë t’ua lexojmë dhe në Francë pakkush i njeh jashtë fshatrave të tyre. Les Herbiers është një komunë me 5000 banorë në Vendee, në perëndim të Francës: më shumë njihet për një garë me biçikleta që zhvillohet çdo vit aty. Stadiumin e ka me 5000 vende, sepse ku i dihet, mund të shkojë i gjithë fshati në stadium dhe të vijnë edhe tifozë miq. Megjithatë, në fazat finale të kupës ky stadium nuk është i licencuar dhe Les Herbiers e luajti çerekfinalean ndaj Lensit në Nantë, aty ku do luhet edhe sot.
Ndërkaq, Chambly është një komunë më e madhe, me thuajse 10.000 banorë, por stadiumin e ka të vogël, me 2500 vende, ndaj ndeshjet e kupës në turet e fundit i ka luajtur në Beauvais.
Sot, në Nantë, në lojë është një vend në finalen e madhe të Kupës së Francës, kundër fituesit të çiftit Caen-PSG.
Dy komuna me 15.000 banorë në total, por sot në Nantë priten rreth 35.000 tifozë, sepse kjo ndeshje është nga ato që nuk duhen humbur, është një copëz historie, mes dy ekipesh që këtë sezon po luftojnë për mbijetesë në divizionin e tretë, por në rrugën e vet kanë eliminuar emra si Okser, Lens e Strasburg.
Trajneri i Les Herbiers është Stéphame Masala, me origjinë italine, ndërsa Chambly drejtohet nga Bruno Luzi dhe është një sozi e Interit, duke nisur nga stema dhe fanella.
Nëse gjysmëfinalja është historike, finalja nuk do të jetë e tillë, sepse një ekip i divizionit të katërt ka shkuar më parë në finale: Calais në vitin 2000 habiti veten dhe Francën, sepse një grup miqsh që luanin për qejf dhe me kohë të pjesshme, me presidentin që punonte si berber dhe trajnerin gjeometër, mbërritën deri në finalen e madhe, ku u mundën nga Nanta, pasi kishin eliminuar gjatë rrugës emra si Lila, Kana, Strasburgu dhe Bordoja u mundën bujshëm, duke bërë që Calais të kthehet në një legjendë, edhe pse nuk ka luajtur kurrë në futbollin profesionist.