Përplasjet në kampin e kuq, largohen Moxhi dhe Preiti

Debate të ashpra në kupolën drejtuese të Partizanit. Drejtori i Përgjithshëm Rama nis nga ndryshimet rrënjësore. Preiti dhe Moxhi të larguar, gjasat që të kthehen minimale

Ndryshimet te skuadra e Partizanit nisën që në merkaton e janarit. Drejtori i Përgjithshëm, Olsi Rama, pastroi skuadrën e kuqe nga elementi i keq, siç u cilësuan Emiljano Vila, Renato Malota dhe Gëzim Krasniqi. Të 3 lojtarët e rëndësishëm u larguan edhe pa miratimin e trajnerit të asaj kohe, Sulejman Starova. Rama kishte nisur të aplikonte idetë e tij. Fillimi i ndryshimeve ishte çështje kohe, pasi largimi i lojtarëve ishte vetëm nisja e stuhisë.

Radha për të paguar ishte e trajnerit Sulejman Starova. Ky i fundit u shkarkua para barazimit nga Teuta, ndërsa “de facto” nuk e ndjente më veten trajner që në janar. Ai nuk u pyet për largimin e titullarëve në janar e as afrimeve që u bënë, praktikisht priste momentin se kur do të shkarkohej. Drejtori Rama nuk e kishte me sy të mirë, por nuk mund ta shkarkonte, pasi sapo ishte larguar Juliano dhe Starova u mor si shpëtimi i skuadrës. Mundësia e parë dhe trajneri u largua.

Ndryshimet rrënjësore në klubin e kuq nuk mbarojnë këtu, pasi vala e largimeve nuk ka mbaruar dhe as e “spastrimit” të klubit. “Largimi i Starovës nuk ka lidhje me Moxhin dhe Preitin”, – u shpreh Rama në një intervistë për “Sport Ekspres”. E fakti qëndron ndrysh, nëse drejtori të lavdëron duket se ditët i ke të numëruara. Gazeta zbulon nëpërmjet burimeve të ndryshme pranë klubit të kuq se në kupolën drejtuese ka patur përplasje të forta. Këshilltari i presidentit Demi, Luçiano Moxhi dhe Drejtori Sportiv, Antonelo Preiti, kanë debatuar fort me numrin një të klubit dhe drejtuesit e tjerë. Informacionet e fundit që dalin nga kampi i kuq bëjnë me dije se ata nuk do të jenë më pjesë e të kuqve.

LARGIMI – Burime të ndryshme brenda klubit të kuq bëjnë me dije se në mbledhjen e fundit ndërmjet drejtuesve të Partizanit, pati përplasje të forta. Numri një i klubit, Gaz Demi dhe Drejtori i Përgjithshëm, Olsi Rama, debatuan dhe me tone të ashpra me Moxhin  dhe Preitin. Largimi i tyre nuk është zyrtar, por me shumë mundësi ata nuk do të kthehen më te klubi i “demave” pas mbledhjes së fundit. Duhet të ndodhë një çudi që ata të jenë sërish pjesë e Partizanit, ose pafytyrësia të arrijë kulmin. Kjo fjalia e fundit mund të mos ketë shumë sens në futbollin e sotëm shqiptar e as më shumë te skuadra e Partizanit. Aty ku klubi shpesh herë është parë si han pa porta nga drejtuesit, apo dhe lojtarë të ndryshëm. Premisat janë që kjo situatë të marrë fund njëherë e mirë te skuadra e kuqe, pasi dhe largimi i Moxhit dhe Preitit e konfirmon këtë gjë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *