Holanda duhet të fitojë përballë Bjellorusisë për të mbajtur gjallë shpresat për të qenë ende në garë për një vend në “Rusi 2018”
Mospjesëmarrja në kampionatin evropian në vitin 2016 u cilësua si një turp për Holandën. Vetëm dy vite përpara evropianit, holandezët kishin shkuar deri në gjysmëfinale në Botërorin 2014 në Brazil. Por një vit nga evropiani, Holanda rrezikon të mungojë dhe në Botërorin rus. Këtë herë nuk flitet më për një turp, por për një katastrofë në vendin e futbollit total. E vërteta është se Holanda ndodhet në një situatë të tillë realisht, ku rrezikon të mos jetë pjesë e 32 ekipeve që do të garojnë në kampionatin botëror në vitin e ardhshëm. Kjo është situata ku ndodhet Holanda përpara ndeshjes së sotme në mbrëmje në Borisov përballë Bjellorusisë. Nëse Holanda nuk do të fitojë në Borisov, “Tulipanët” do të jenë zyrtarisht jashtë kampionatit botëror. Në Holandë shpresojnë që një gjë e tillë të mos ndodhë. Dhe në seancën e fundit stërvitore që ekipi ka zhvilluar në Bjellorusi, ka rënë në sy serioziteti i jashtëzakonshëm.
Shanset – Holanda ka vetëm një shans për të mbetur ende në lojë për një vend në Rusi; të fitojë kundër Bjellorusisë. Nëse Holanda do të mposhtet dhe Suedia do të barazojë në Stokholm kundër Luksemburgut, Holanda do të përfundonte jashtë kampionatit botëror. E njëjta gjë vlen nëse Holanda barazon përballë Bjellorusisë dhe Suedia fiton kundër Luksemburgut. Kjo do të thotë se vetëm fitorja në Borisov do t’i jepte mundësi Holandës që të shkonte në ndeshjen e fundit në grup për të luajtur gjithçka. Në takimin e fundit në grup Holanda do të presë në Amsterdam pikërisht Suedinë, me të cilën duket se do të ndajë një vend në play off. Megjithatë, si fillim Holanda ka detyrën jo të lehtë për të mundur Bjellorusinë.
Advokat optimist – Për takimin në Borisov ka folur dhe trajneri i Holandës, Dik Advokat. Ai ka deklaruar se skuadra e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë. “Nuk jemi në pozitat më të mira të mundshme, por nuk mund të them se gjithçka është e çuar dëm. Jemi ende në garë për të qenë pjesëmarrës në Rusi dhe unë jam optimist. Por kjo na imponon që të fitojmë takimin në Bjelloruisi për të luajtur më pas gjithçka kundër Suedisë”-ka thënë trajneri i Holandës, Dik Advokat.