Kategoria Superiore ende nuk ka nisur për shkak të bojkotit, megjithatë ekipet nuk i kanë ndalur stërvitjet e tyre dhe presin vetëm një dritë jeshile për të zbritur në fushë. Skuadrat pretendente kanë bërë blerjet e tyre në merkato, duke rritur cilësinë në grup dhe duke premtuar kështu një kampionat të luftuar deri në fund.
Në një intervistë për “Sport Time” në “Superport”, Armando Cungu ka folur për sezonin e ri që pritet të nisë. Trajneri i Laçit tregon ambiciet e klubit, ndërsa pretendentë për titull sheh ekipet që morën pjesë në Kupat e Europës. Në fakt aventura europiane sjell kujtime të hidhura për Cungun, që u eliminua në minutat e fundit të ndeshjes. Një largim që edhe sot vazhdon të jetë një peng i trajnerit shkodran, që thekson se nuk ka për ta harruar kurrë.
“Nuk është e lehtë të punosh në kushte të tilla, për të motivuar futbollistët apo të punosh në stërvitje. Edhe sezoni i kaluar nuk ishte i zakonshëm. Ne, që morëm pjesë në Europë, mund të ishim në formë shumë të mirë për kampionatin. Megjithatë duhet të sakrifikojmë, kur bëhet fjalë për të mirën e futbollit.”
Objektivat e Laçit: Nuk preferoj të flas me fjalë të mëdha, llogaritë bëhen në fushë. Klubi ka investuar shumë, në të gjithë presim një Laç tjetër, më konkurrues dhe më të fortë sa u përket rezultateve. Për titullin na vjen natyrshëm. Sezonin e kaluar ishim shumë mirë dhe bëmë paraqitje dinjitoze ne Europë. Objektivi im është ndeshja e parë dhe të shikojmë njëra pas tjetrës.
Prurjet te Laçi: Nuk e kam problem presionin, pasi vetë jeta është presion. Kur vijnë shumë lojtarë, është normale që iu duhet kohë për t’u futur në mekanizmat e skuadrës. Besoj se jemi në rrugën e duhur, lojtarëve të rinj u duhet më shumë kohë, të jemi realistë.
Rivalët e Superiores: Nuk mund të them emra, por mendoj se ata që ishin në Europë do të jenë përsëri konkurrues. Vllaznia është përmirësuar nga sezoni i kaluar. Apolonia është me djem të rinj, që do kërkojnë të shkëlqejnë për të dalë në skenë. Mendoj se ekipet që ishin në Europë, do jenë rivalë për titull.
Eliminimi nga Europa League: Koha është ilaçi më i mirë. Do të mbetet një moment i hidhur në gjithë karrierën time. Ishin shumë afër kualifikimit, madje deri në minutat e fundit ishin ne të kualifikuar, por fati nuk ishte me ne. Kjo u ka ndodhur edhe ekipeve të mëdha. Nuk do ta harroj kurrë atë moment”, ka deklaruar Armando Cungu./Halit Delibashi-Sport Ekspres/