Partizani ka hequr dy pikë të arta nga duart. Të kuqtë ishin në avantazh deri në minutën e 101 në shifrat 3-1, por më pas Erzeni barazoi gjithçka. Shtesa ishte e tillë për shkak të ndërprerjes së takimit nga stuhia e breshërit.
I ftuar në Oversport, Ledio Pano, nuk mund ta përtypte dot këtë sjellje të lojtarëve në fushë dhe njëkohësisht të daljes së trajnerit Kolela në intervistë. Ky i fundit u shpreh se mban përgjegjësi për atë që ndodhi, por mënyra sesi dolën këto fjalë, nuk e kanë bindur aspak Ledio Panon.
“Për mua është turp i madh. Një njeri që merr përgjegjësi reale, nuk del aty dhe të qeshi, nuk qesh. Ky ekip pretendon dhe të dali kampion. Personaliteti i trajnerit është i ekipit. Unë nuk pashë ndonjë përgjegjësi të marrë nga Kolela për mënyrën sesi foli dhe nga mimika e tij. Jam vërtet shumë i indinjuar”, tha Ledio Pano. /Sport Ekspres/