Brazili i afrohet debutimit të dielën ndaj Zvicrës dhe për momentin shfaq një qetësi olimpike, në ndryshim nga pjesa tjetër e ekipeve favorite për të fituar Kupën e Botës në Rusi. Shpjegimin dhe sekretin e kësaj qetësie e zbulon mesfushori i Barcelonës, Paulinjo: “Përgatitja ka qenë dhe vazhdon që të jetë më e mira e mundshme. Pritshmëria jonë për Botërorin është e madhe, por kemi punuar mirë. Dhe, sidomos, kemi harmoni, që është pika e forcës. Eshtë Botërori im i dytë dhe mund të garantoj që shoh një kohezion të madh. Tite është një trajner që shpjegon gjithçka, edhe gabimet. Eshtë principi ynë bazë, rregulli i grupit, që çdokush të jetë i ndershëm me shokun e skuadrës. Nuk ekzistojnë xhelozi apo smirë, mes ne të 23-ve”.
Paulinjo ka bërë një rrugëtim të veçantë, për të rigjetur “Seleçaon”: Totenham, në verën e vitit 2015, më pas transferimi në Kinë te Guangzhu e Skolarit, që në këtë rast është kthyer trampolina e rilindjes për të, me destinacion Barcelonën: “Futbolli sot është duke u zhvilluar, transferimi im në Kinë ishte një vendim i rëndësishëm, niveli i kampionatit është i mirë. Kam pasur mundësinë që të luaj te Seleçao dhe do ta shfrytëzoj në mënyrën më të mirë të mundshme. Zgjodha Kinën sepse kisha nevojë të luaja dhe te Totenhami kisha pak hapësirë. Për karrierën time e dija që ishte e nevojshme”.
I mbetet, nga ajo eksperiencë, shumë tifozë kinezë: një sondazh i fundit në Kinë tregon se Brazili është favoriti numër “1”: “Duhet të ballafaqohemi me shumë skuadra të forta: Gjermani, Francë, Belgjikë, Argjentinë. Edhe Spanja, që mbetet një nga më të fortat: nuk besoj që ndryshojnë vlerat teknike, edhe nëse ndryshon trajneri. E sigurt që do të jetë një kupë bote për t’u shijuar, për të pasionuarit”.
Ndeshja e parë do të jetë një test serioz: “Zvicra do të na vendosë në provë, është një skuadër e zhvilluar taktikisht. Por, mbërrijmë në mënyrën tonë më të mirë dhe kemi një ekuilibër të madh, në fushë dhe jashtë. Në 4 vjet mësohen shumë gjëra, jemi pasuruar”.
I shoqëruar nga familja, në grumbullimin e hapur në Soçi, Paulinjo sqaron zgjedhjen e bërë: “Familja është baza e çdo gjëje, miqësitë, do të jetë një prani thelbësore”.