Serxho Porini ka dhënë pak ditë më parë një intervistë për “TMW Radio”, ku ka folur ndër të tjera për rolin thelbësor të Gasperinit te Atalanta, si dhe për një nga mbrojtësit më të dalluar shqiptar në Itali. Ndihmës trajneri i Edi Rejas në Kombëtaren kuqezi është shprehur se e ndjek Ardian Ismajlin te Specia dhe nuk nguron të nxjerrë në pah aftësitë dhe cilësitë që lojtari shqiptar mbart.
“Unë kam idenë time, gjithmonë e kam thënë dhe e përsëris atë: Atalanta ia ka borxh gjithçka, ose pothuajse gjithçka, Gasperinit. Ai është thelbësor. Të gjithë mund të ndryshojnë, dhe ne e kuptuam atë me Gomez, por Gasperini është ai që jep kontribut dhe ide për të gjithë. Unë nuk mund të shpjegoj ndryshe se kushdo që ka kaluar atje ka kryer paraqitje të çmendura. Është ai që i bën të gjithë të performojnë në mënyrën më të mirë. Në çështjen Papu, klubi ka zgjedhur të preferojë figurën e tij.
A e ndjek Ismajlin? Ne jemi gjithmonë në kërkim të talenteve të reja premtuese për të ardhmen, që mund të na ndihmojnë të rritemi me ekipin kombëtar shqiptar. Unë pata mundësinë ta trajnoj dhe ta shoh drejtpërdrejt. Ai ka forcë fizike dhe eksplozivitet, është i fortë me kundërshtarin dhe në pritje është i vëmendshëm. Ismajli duhet të përmirësohet pak në ndërtim, por ne jemi shumë të lumtur. Me një trajner si Italiano ai do të rritet”, ka thënë Serxhi Porini./Halit Delibashi-Sport Ekspres/