Me shumë gjasa, sfida e së mërkurës do të jetë ndeshja e fundit që Kukësi luan në shtëpi për këtë sezon
Jurgen Zela
Të mërkurën parashikohet që stadiumi “Zeqir Ymeri” të presë ndeshjen e fundit për këtë sezon. Takimi Kukësi-Skënderbeu, i cili është programuar të luhet në mesjavë, mund të jetë i fundit në qytetin e Kukësit, pasi gjendja e fushës ka degraduar shumë dhe është kthyer në një problem të madh për vetë skuadrën e Kukësit, që tani duket se ka vendosur që t’i mbyllë dyert e këtij stadiumi. Edhe pse ndoshta ishte një veprim që duhej të ishte ndërmarrë prej kohësh, “Sport Ekspres” mëson se verilindorët do t’i zhvillojnë ndeshjet e mbetura si pritës larg shtëpisë së tyre. Jo vetëm mungesa e rezultateve dhe vështirësia për të luajtur futboll sulmues, por dhe shqetësimi se mos ndonjëri nga lojtarët mund të pësojë ndonjë dëmtim të rëndë, i ka shtyrë drejtuesit që të mendojnë “shtegtimin”.
RIKONSTRUKSIONI
Drejtuesit e Kukësit e kishin paralajmëruar në shumë raste se me të përfunduar sezonin stadiumi do t’i nënshtrohej një rikonstruksioni të plotë, por duket e pamundur që fusha e Kukësit të presë të tjera takime të Superiores për këtë sezon. Fusha e rënduar është problemi më i madh i Kukësit, që tashmë duket qartë që është shumë i rrezikshëm për shëndetin e futbollistëve, që kanë shfaqur jo pak probleme pas çdo ndeshje të zhvilluar në Kukësi. Stadiumi i Kukësit ka plot 6 sezone që nuk pëson asnjë rikonstruksion, dhe më në fund është vendosur që të vihet dorë. Investimi pritet të jetë i qeverisë dhe i Federatës, por mbetet për t’u sqaruar shumë pikëpyetje, pasi shifra prej 5 milion eurosh e përmendur, duket shumë e vogël, krahasuar me pretendimet e drejtuesve, për të bërë një stadium me parametrat që kërkon UEFA.
MUNDËSIA
“Elbasan Arena” pritet të jetë shtëpia e re e Kukësit për pjesën e mbetur të sezonit. Nuk është një terren i panjohur për Kukësin, pasi verilindorët aty kanë dy sezone që zhvillojnë ndeshjet e tyre ndërkombëtare si pritës. Mësohet se Kukësi do të paguaj një shifër prej 5 milion lekësh për të zhvilluar ndeshjet në Elbasan. Edhe në stadiumin e Kukësit, siç dihet i duhet që të paguaj, pasi është Bashkia pronarja e stadiumit, ndaj në këtë pikë nuk duket se do të ketë një humbje të madhe.
PROBLEMET
Ecuria e Kukësit këtë sezon ka qenë mjaft e çuditshme, për të mos thënë dhe e pazakontë. Verilindorët kanë pasur një performancë shumë të mirë jashtë fushës së tyre, ndërsa në takimet në shtëpi kanë vuajtur shumë, duke mos marrë rezultatet e pritura. Jo vetëm kaq, por mjafton që të shihet se nga 6 humbjet që kanë pësuar, 5 i kanë regjistruar në fushën e tyre, ku kanë arritur të marrin maksimumin Skënderbeu, Partizani, Lushnja, Luftëtari dhe së fundmi Kamza. Një kampionat më vete ka luajtur larg shtëpisë, ku ka mundur që të marrë pikë më shumë se askush tjetër këtë sezon. 14 pikë në shtëpi janë shumë pak, teksa kanë marrë fitoren vetëm me Kamzën, Teutën, Laçin në dy raste si dhe kanë barazuar me Flamurtarin dhe Vllazninë. Më në fund në Kukës zunë mend dhe ndoshta tani do të fillojnë të marrin rezultate e dëshiruara dhe si pritës, pavarësisht se do t’i luajnë ndeshjet larg Kukësit.