Mesfushori Ardit Deliu foli në emisionin “Ora Sport” në “RTV Ora” për rikthimin e Tiranës te fitorja dhe ngjitjen në krye të Superiores.
Fitorja me Laçin – “Pas dy humbjeve në dy ndeshjet e fundit, sfida me Laçin ishte e vështirë sepse edhe skuadra ishte e rënë moralisht. Na duhej fitorja që të gjenim qetësinë dhe vazhdimësinë për më tej”.
Humbja në derbi – “Sigurisht disfata në derbi djeg, gjithsesi me këtë fitore ndryshoi gjithçka. Dua të falenderoj edhe djemtë sepse treguan kartakter dhe e rigjetëm veten shpejt”.
Diskutimet për Partizanin zgjatën? – “Të jem i sinqertë që pas ndeshjes nuk kemi folur më për Partizanin. As nuk kemi analizuar dhe as diskutuar. Ishte një kapitull i mbyllur dhe tani duhet të shohim përpara”.
Luhatjet në kampionat – “Ky ka qenë problem vetëm i joni, por i të gjithë pretendentëve. Kemi marrë dy tre fitore, më pas jemi ndaluar në barazim apo humbje dhe kjo gjë të penalizon. Për shkak se edhe ekipet e tjera kanë gabuar ne jemi në krye”.
Mungesa e vazhdimësisë te Tirana – “Ne kemi treguar që mund të fitojmë me një ekip pretendent dhe të humbasim me një ekip të dobët. Mbaj mend ne kemi humbur me Kukësin, kur ata ishin në vend të fundit. Pra ky më duket një kampionat i çuditshëm”.
Klasifikimi – “Tabela tregon të vërtetën, Tirana vërtetë i ka lënë pikët, por edhe ka ditur t’i marrë në ndeshjet deçizive. Edhe në ndeshjen me Laçin treguam karakter. Të gjithë e dinimin se do të ishte e vështirë pas dy humbjeve dhe veçanërisht derbit, por ne ditëm të reagojmë”.
Shoku më i mirë te Tirana? – “Të gjithë janë pozitiv, por normalisht më shumë rri me Regi Lushkjan, sepse kemi luajtur bashkë për shumë vite”.
A do e ftoni Julian Shehin te Tirana? – “Flasim shpesh në telefon, do të ishte bukur të vinte edhe ai. Te Laçi ne kishim 3-4 vite bashkë dhe e njihnim shumë mirë lojën e njëri-tjetrit. Duke qenë bashkë për kaq kohë, gjithçka bëhet më e lehtë. Është e vështirë të gjesh një ekip që mesfusha nuk ndryshohet për 3 ose 4 vite rresht”.