Eneo Bitri ishte pjesë e emisionit “Ora Sport“ në “Ora TV“ përmes një lidhjeje paralele nga Çekia. Ish-lojtari i Partizanit po përjeton një përvojë të re në karrierën e tij. Bitri ka veshur fanellën e Banik Ostravës në kampionatin çek, ku niveli, siç thotë edhe vetë ai, është dukshëm më i lartë se në Shqipëri. Mbrojtësi nga Berati pranon se këtë hap në karrierë e ka hedhur edhe për të zënë një vend në Kombëtaren shqiptare.
“Niveli këtu është shumë herë, mendoj që është 10-fish më i lartë se Shqipëria. Është shumë i shpejtë. Gjithçka bën diferencë të madhe. Duke nisur nga vonesat, që këtu nuk ndodh kurrë të vonohet loja. Nga ritmi, nga shpejtësia, nga cilësia. Unë kam bërë një hap që të më shërbejë mua në karrierën time. Kam ardhur që të bëhem sa më shpejt pjesë e grupit të Kombëtares.
A ka ardhur ftesa nga ekipi kombëtar? Akoma jo. Stërvitja këtu është shumë ndryshe. Ndalesat janë shumë të vogla, vetëm një minutë. Madje edhe për të pirë ujë. Është e çuditshme, na duket sikur ëndërrojmë të pimë edhe ujë. Tani në klub i kanë vënë syrin edhe një shqiptari tjetër. Emër nuk mund të them, sepse i prish punë lojtarit dhe klubit”, është shprehur Eneo Bitri./Halit Delibashi-Sport Ekspres/