Partizani sulmues i Dalipit, ende projekt i së ardhmes

Trajneri i të kuqve ka premtuar se skuadra e tij do të ndryshojë dhe do të shohë më shumë nga sulmi

Klevis Dalipi ka qenë vetë sulmues, ndaj edhe ka bërë një premtim të madh për t’ia ndryshuar fytyrën skuadrës së tij në aspektin ofensiv. Ka kërkuar kohë për këtë, ndërkohë që të kuqtë në Shkodër provuan më çdo mënyrë për të shënuar. Pjesa e parë filloi me Jurgen Bardhin në majë të sulmit dhe Partizani nuk është se rrezikoi me të. Në të dytën Dalipi bëri lëvizjen e parë dhe gradualisht skuadra e tij mori kontrollin e lojës. Progni u aktivizua në majë të sulmit dhe Bardhi kaloi në krah, me këtë të fundit që kishte edhe mundësinë më të mirë për të shënuar. Shënonte minuta e 57-të. Lëvizja tjetër ishte aktivizimi i Lukas Kardozos, që duket si një “mish i huaj” te ky Partizan. Braziliani pritej ta ndihmonte shumë skuadrën e tij, por deri më tani nuk ka lënë ndonjë mbresë.

ÇANI, VETËM 3 MINUTA
Edgar Çani u hodh në fushën e lojës shumë vonë, në minutën e 87-të. Shumë pak për të bërë ndryshimin. Për trajnerin Dalipi në këto momente është e rëndësishme që ekipi i tij të mos humbë, por për të fituar duhet më shumë guxim. Ai rast i minutës së 54-të duhet të sherbejë si mesazh. Në majën e sulmit ishte Progni, i cili mori një top të gjatë nga mbrojtja e tij, e kontrolloi topin dhe vertikalizoi për Bardhin, që doli i vetëm me Sherrin, por nuk shënoi. Me një pykë përpara diçka e tillë mund të ndodhë më shpesh. Konkretisht me Çanin Partizani do të ishte më i rrezikshëm. Ekipi do të fitonte më shumë thellësi dhe sulmuesit anësorë do të afroheshin më shumë me portën. Por lojtarë si Bardhi e Asani nuk shfrytëzojnë vetëm vertikalizimet me shpejtësinë e tyre, por edhe në zona të ngushta janë të aftë të krijojnë momente të rrezikshme dhe të ofrojnë për Çanin mundësi shënimi. Ndoshta është koha që Dalipi të guxojë. Pas rifillimit të kampionatit justifikimet do të ishin të kota. Çani duhet të bëjë Çanin: të tregojë sa vlen dhe të justifikojë milionat e hedhura për të. Partizani ka nevojë për gola për të arritur Europën.

KRAHASIMI ME RIVALËT
Katër janë ekipet që kanë shënuar më shumë se të kuqtë. Skënderbeu është nga një planet tjetër, që ka një mesatarë gati dy gola për ndeshje. Kukësi i ka kaluar të 40 golat në 25 ndeshjen, ndërkohë që “podiumi” mbahet nga Laçi. Luftëtari gjithashtu ka realizuar më shumë dhe “ironia” është se gjirokastritët pesë prej golave ia kanë shënuar Partizanit. Por edhe të kuqtë ia kanë kthyer me të njëjtën monedhë, pasi po as gola u kanë realizuar atyre në dy ndeshje. Laçi, skuadra që ka realizuar më shumë, e ka gjetur 9 herë rrugën e rrjetës me Lushnjën e vendit të fundit, sikurse edhe ka bërë ekipi i drejtuar aktualisht nga Klevis Dalipi. Po aq sa Partizani ka shënuar edhe Teuta, ndërsa ekipet e tjera nuk e kanë kapur shifrën e 28 golave që “demat” e kuq numërojnë deri në këtë fazë të kampionatit.

RENDITJA E EKIPEVE
PËR GOLAT E SHËNUAR
Ekipi                Nd.   G
1.Skënderbeu 25  49
2.Kukësi          25  42
3.Laçi              25  30
4.Luftëtari      25  29
5.Partizani       25  28
6.Teuta            25  28
7.Kamza          25  27
8.Flamurtari    25  26
9.Vllaznia        25  23
10.Lushnja     25  18

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *