Super sfida mes Partizanit dhe Tiranes ishte tematika kryesore e mbrëmjes së diel në emisionin “Mega Sport”, që transmetohet në A2 CNN. I ftuar në studio, gazetari sportiv Fatjon Baze analizoi suksesin e të kuqve në derbi, duke theksuar se tashmë Partizani është një nga pretendentët kryesorë për të siguruar një vend në “Final 4”, pasi vijon garën në dy fronte.“Ky është një trepikësh shumë i artë për Partizanin në një moment mjaft të rëndësishëm të kampionatit. Një fitore me vlerë të dyfishtë, pasi Dinamo u ndal nga Flamurtari dhe tashmë diferenca është ngushtuar në vetëm 3 pikë. Të kuqtë janë në garë edhe në Kupën e Shqipërisë, ku kanë mposhtur Elbasanin në ndeshjen e parë dhe janë një hap larg gjysmëfinales.
Në këndvështrimin tim, Kupa duhet të jetë objektivi parësor i Partizanit, pasi një sukses në këtë edicion do të sillte jo vetëm trofeun, por edhe pjesëmarrjen në Europë, çka do ta shpëtonte sezonin”, u shpreh Baze. Gazetari vlerësoi gjithashtu edhe trajnerin e të kuqve, duke theksuar punën e bërë në krye të skuadrës.
“Pozitat komode të Partizanit janë edhe meritë e trajnerit, i cili kur mori drejtimin e ekipit u përball me skepticizëm në ambientin sportiv. Por rezultatet dhe loja e skuadrës meritojnë komplimente. Ai ka shfrytëzuar maksimalisht shansin që i është dhënë, ka krijuar marrëdhënie shumë të mira me lojtarët dhe gëzon besimin e presidencës. Kjo ka bërë që gjithçka të shkojë në rrugën e duhur dhe rezultatet po i japin të drejtë”, përfundoi gazetari Fatjon Baze.