“Partizani ishte shumë shkallë më lart se Kukësi“, Bylykbashi e thotë me bindje: Të kuqtë do ia shtyjnë Tiranës ngritjen e trofeut

Mbrëmjen e nesërme luhet derbi i shumëpritur mes Tiranës dhe Partizanit. Një derbi që këtë herë merr një vlerë edhe më të madhe, pasi një fitore e bardhebluve i shpall ata kampion të “Abissnet Superiores“. Por Dorian Bylykbashi duket i bindur se festa e Tiranës do të shtyhet edhe për një tjetër javë. Në një intervistë të dhënë për emisionin “Sport Magazine“, të moderuar nga Drilon Xhepollari dhe të transmetuar në “Ora News“, ish-sulmuesi ka dhënë mendimin e tij në lidhje me këtë ndeshje delikate, si dhe me ecurinë e Partizanit në këtë fundsezoni.

“Me ardhjen e Shehit, Tirana ka bërë një blerje shumë të mirë. Shehi ka qenë ai që i ka dhënë dorën që i duhej Tiranës. Edhe lojtarët i ka shumë të mirë, si Seferi, Xhixha, Ismajlgeci. Ka shumë lojtarë të mirë. Janë këta lojtarë që në fund të ditës bëjnë ndryshimin te ekipet e tyre, por edhe Orgesi ka ditur të marri më të mirën.

Këto ndeshjet e fundit ka pasur oshilacione, por mendimi im është se kanë arritur thuajse të dalin kampion, vetëm matematika i mban ende në lojë, dhe ndoshta për këtë pjesë nuk i kanë marrë me seriozitet ndeshjet e fundit. Ndeshja me Partizanin nuk ka nevojë fare për karikim, sepse është e superkarikuar që nga trajnerët, lojtarë. Partizani do ia shtyjë patjetër Tiranës ngritjen e kupës.

Në ndeshjet e fundit Partizani ka treguar një ngritje të nivelit. Në ndeshjen me Kukësin ishte shumë shkallë më lart se sa Kukësi. Janë vetëm tre pikë larg, por Partizani ishte shumë herë më lart. E shoh më afër në Kupat e Europës”, ka thënë ndër të tjera Dorian Bylykbashi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *