Partizani afroi 9 lojtarë në këtë janar. Nga mbrojtja në sulm, kryeqytetasit u përforcuan shumë dhe afruan “një ekip të ri”
Partizani ishte një ndër ekipet që vonoi më shumë për të bërë merkaton e janarit, por në fund afroi shumë futbollistë njëkohësisht. Trajneri Sulejman Starova ka marrë në skuadër 9 futbollistë të rinj. Nga mbrojtja në sulm, “demat” shpenzuan shumë, madje bënë edhe sforco financiare si në rastin e sulmuesit të fundit, Besart Abdurahimi. Numri një i stolit dhe stafi teknik nuk mund të paraqesin asnjë ankesë tani për mungesë grupi, pasi afruan futbollistët që donin, thuajse një ekip të tërë. Të kuqtë afruan 9 lojtarë në merkaton e janarit duke mbipopulluar grupin, pa harruar edhe largimet e rëndësishme që bënë të kuqtë.
AFRIMET – 9 janë lojtarët e afruar nga Partizani në këtë merkato janari. Ekipi i kuq afroi dy mbrojtës: Egzon Belican dhe Renato Gojkoviç dhe Senad Hysenaj. Belica dhe Gojkoviç u morën si titullarë, ndërsa Hysenaj si një lojtar i perspektivës, pasi Kalari dhe Kotobelli nuk mund të konkurrohen nga 18-vjeçari. Në mesfushë u afruan Telushi, Mala dhe Çulum. Starova e cilëson Telushin si titullar fiks, ndërsa Çulumi pritet t’i bashkohet shpejt grupit. Lojtari tjetër i afruar në këtë repart është Esat Mala, një i ri premtues nga Kosova.
Në repartin e sulmit, Starova afroi Lukasin, Ramadanin dhe së fundmi Abdurahimin. Të 3 janë afruar për të qenë afër ekipit dhe titullar, sidomos ky i fundit.
Partizani ka afruar nga 3 lojtarë për repart që do të thotë se të kuqtë janë përforcuar në çdo repart.
LARGIMET – Partizani skarcoi shumë lojtarë në këtë sezon. Deri tani janë larguar 13 futbollistë. Ekipi i kuq nisi largimet e afrimeve të gabuara në merkaton e verës, ndërsa anashkaloi edhe disa nga senatorët e skuadrës. Klubi i kuq hoqi dorë nga senatorët që ishin titullarë gjatë gjithë pjesës së parë të sezonit.
“Autogoli” i merkatos, sulmues krahu me shumicë
Partizani bëri një merkato voluminoze, por nuk u përforcua në pozicionet e duhura. Ekipi i Starovës mbetet sërish me një sulmues pykë edhe pas këtij janari. I vetmi lojtar që e mbulon atë pozicion është Edgar Çani, ky i fundit është një bast i rrezikshëm, pasi nuk ka luajtur prej kohësh në një ndeshje zyrtare.
Starova do të vuajë konkurrencën e madhe në krahë të sulmit, pasi për momentin ka Asanin, Trashin, Çulumin, Prognin, Bardhin, Lukasin dhe Abdurahimin për 3 pozicione. Të kuqtë morën në skuadër Abdurahimin, Lukasin dhe Çulumin duke qenë të mbipopulluar në këto reparte. I vetmi që e nuhat më shumë portën është ish-lojtari i Shkëndijës së Tetovës që ka arritur të shënojë në çdo skuadër që ka qenë. Kjo do të jetë një çështje që do e prekë ekipin e kuq gjatë gjithë sezonit.
Afrimet
- Bruno Telushi
- Esat Mala
- Lukas Kardozo
- Egzon Belica
- Renato Gojkoviç
- Senad Hysenaj
- Milan Çulum
- Emran Ramadani
- Besart Abudrahimi
Largimet
- Renato Malota
- Emiljano Vila
- Gëzim Krasniqi
- Xhevahir Sukaj
- Realdo Fili
- Xhovani La Kamera
- Kristjan Adorjan
- Uarlej
- Milan Basrak
- Erik Herrera
- Romeo Shahinas
- Andrea Selvaxhio
- Eglant Haxho