Vllaznia ka reaguar shpejt pas turpërimit javën e shkuar nga Egnatia, me të cilën humbi thellë 3-0. Shkodranët kanë bërë detyrën mbrëmjen e somte, ku në “Loro Boriçi” kanë mposhtur Kastriotin me rezultatin minimal 1-0. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “TI BO GOL” në “Oversport”.
Çela (Kastrioti): “Ishte ajo minuta e parë që as si të përgjumur nuk e nisëm. Sa filloi ndeshja pësuam golin. Pastaj ndeshja foli për ne, si për raste ashtu edhe për menaxhimit të topit. Ajo që më pëlqeu më shumë te ekipi im ishte ritmi, vrapimi, besimi. Në asnjë moment nuk u ç’ekuilibruam. Parvjet ishte ekipi i Kastriotit që vinte në Shkodër dhe vononte lojën. Sot kemi arritur në një kohë tjetër. Vllaznia bën Kastriotin e para dy viteve, vononte lojën. Madje ishte edhe qesharake në disa raste me ato hedhjet dhe shtrirjet e portierit për të vonuar lojën. Jam shumë i pakënaqur me arbitrimin në këto 5 javë. Dha 2-3 faulle të lehta në shtesë, që do të thotë se ndihmoi ekipin kundërshtar të menaxhonte rezultatin. Pse nuk kishte shtesë mbi shtesë? Sa dilmin në sulm, na fikte, jepte faull”.
Josa (Vllaznia): “Patëm fatin që të zhbllokonim rezultatin shumë shpejt. Kjo falë aftësive tona. Jami i kënaqur për këtë ndeshje, sepse është një skuadër që mbrohet mirë. Gjë që ne nuk e kemi treguar në ndeshjet e tjera. Kemi pësuar shumë gola. Sot pashë një skuadër më të përqendruar. Duhet të punonim mirë në daljet përpara. Kur ke përpara një skuadër si Kastroti, që e ka treguar veten, që donte të shënonte duhet të ishim treguar më të vëmëndshëm në pasin e fundit. E rëndësishme ishte që skuadra të kthehej te fitorja.
Jo se unë nënvlerësoj humbjen me Egnatian, por mënyra se si ata fituan ishte një hap mbrapa. Lojtarët e mi duhet të japin shumë më tepër rëndësi qoftë vlerave të kundërshtarit, qoftë aftësive të tyre. Ne sot shfaqëm disa probleme, sidomos në mesin e fushës. Nga Jonuzi më tepër. Problemi është te mentaliteti që kemi ne për mënyrën se si do të mbrojmë dhe për mënyrën se si do të sulmojmë”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/