Paraqitjet e legjionarëve / Cikalleshi dhe Uzuni realizojnë nga dy gola, shënon edhe Manaj. Gjimshiti dhe Broja japin asiste

Legjionarët kuqezi po gëzojnë një formë fantastike para grumbullimit të parë për këtë vit me Kombëtaren. Edhe në javën që lam pas, futbollistët e Kombëtares shqiptare që luajnë në kampionatet jashtë vendit kanë shkëlqyer me klubet e tyre, duke qenë protagonistë me gola e asiste.

Myrto Uzuni zhvilloi një ndeshje fantastike me Granadën në takimin ndaj Real Sociedad. Sulmuesi kuqezi realizoi dy gola që në fraksionin e parë. Fillimisht në minutën e 21-të falë një penalltie, e më pas në minutat shtesë të pjesës së parë (45+3) duke i dhënë sërish avantazhin Granadës. Në fund sfidën e fitoi Real Sociedad 3-2, ndërsa Uzuni u vlerësua si lojtari më i mirë i ndeshjes me notën 8.1 nga sajti i specializuar për statistika sofascore.

Dy gola realizoi edhe Sokol Cikalleshi në sfidën e Konyaspor ndaj Adana Demirspor. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare zhbllokoi takimin nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 9-të dhe gjeti rrugën e rrjetës sërish nga 11 metrat, në minutën e 45-të. Në fund takimi u mbyll në barazim 2-2 dhe Sokol Cikalleshi u shpall lojtari i ndeshjes, i vlerësuar me notën 8.3 nga sajti i specializuar për statistika sofascore.

Në kampionatin turk shënoi edhe Rey Manaj. Sulmuesi kuqezi realizoi një perlë të vërtetë nga goditja e dënimit dhe ky ishte goli i 15-të në kampionat me fanellën e Sivasspor.

Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti zhvilloi një paraqitje fantastike në takimin ndaj Juventusit. Qendërmbrojtësi kuqezi dhuroi asistin e golit të barazimit të shënuar nga Koopmeiners në minutën e 75-të. Në fund të sfidës, Gjimshiti u vlerësua si lojtari më i mirë në prapavijën e Atalantës me notën 7.3 nga sajti i specializuar për statistika sofascore.

Protagonist këtë javë ishte edhe Armando Broja në Premier Legue, teksa dha një asist në sfidën e Fulham ndaj Wolves. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare u aktivizua në minutën e 80-të kur rezultati ishte 2-0 për Wolves dhe në minutat shtesë Broja asistoi për Iwobi që ngushtoi diferencën.

Sulmuesi i shpresave Cristian Shpendi vijon të jetë i pandalshëm në Serinë C italiane, teksa shënoi dy gola në takimin ndaj Carrarese. Në fund Cesena u mund 3-2, por kryson renditjen me 74 pikë, ndërsa Cristian Shpendi shkoi në kuotën e 19-të golave në kampionat.

Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Ardian Ismajli, Ivan Balliu, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Frederic Veseli, Ylber Ramadani, Anis Mehmeti, Qazim Laçi, Nedim Bajrami, Arbnor Muja dhe Mirlind Daku ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues edhe Mario Mitaj, Kristjan Asllani, Keidi Bare, Marash Kumbulla dhe Klaus Gjasula.