Paradoksi/ Ikona të Kombëtares që i sulen Rejës, por “çudia e paprekur” me Cikalleshin dhe Bogdani mban ende rekord me…18 gola

Nga Klaudio Ndreca

Të kritikosh është e thjeshtë dhe gjithmonë mund të gjendet një element për t’u kapur, në mënyrë që të “kryqëzosh” dikë. Por nëse vendosim peshoren për të matur gjithë situatën, mundësinë dhe rezultatet e arritura, atëherë mbërrijmë në një përfundim të vërtetë. Sa herë Kombëtarja zhgënjen, shohim ish-trajnerë të Shqipërisë dhe ish-futbollistë që vendosin me shpatulla pas muri lojtarët dhe filozofinë e Rejës mbi futbollin, pavarësisht se kemi dominuar me lojë Poloninë në transfertë dhe Hungarinë në “Elbasan Arena”, si asnjëherë më parë.

Padyshim që mbërritja në Europian ishte ngritje dhe pikë kulmore për ne, por nga ana, sinqerisht, mos të teprojmë. Kush jemi? Le të shihemi pak në pasqyrë! A e dini se kush e mban ende rekordin te Kombëtarja për numrin e golave të shënuara? Erjon Bogdani. Numri i saktë? Vetëm 18 gola. Kjo tregon më së miri sesa të vegjël kemi qenë në arenën europiane dhe botërore të futbollit, edhe në kohën kur pikërisht këta ish-trajnerë dhe ish-futbollistë kanë dhënë kontributin e tyre për fanellën kombëtare.

Trajneri Reja po kërkon që të ndryshojë mentalitetin e Shqipërisë, për të hequr dorë nga pritja e kundërshtarit në mbrojtje dhe për të tentuar me dy kundërsulme në 90 minuta, që të provojmë shansin tonë në portën kundërshtare. Padyshim që meriton mbështetje të plotë, pasi në të kundërt do të synojmë ende në ëndrrat tona për t’u kualifikuar në Europianin dhe Botëror gjatë dremitjes, kur në të njëjtën kohë në mënyrë paradoksale askush nuk kalon dot numrin e 18 golave të shënuara.

Vetëm Vedat Muriqi në një Kosovë me filozofi sulmuese ka arritur që të shënojë 16 gola deri tani dhe është ende 27-vjeç. Nga ana tjetër sulmuesi aktual i Finlandës, Temu Pukki, ka shënuar 30 gola deri tani dhe është ende 31-vjeç. Ndoshta jo shumë i ri, por ka ende kohë dhe mundësi për të thelluar statistikat e tij. Ndërkohë nëse shohim listën e Kombëtareve në Europë për golashënuesin më të mirë të historisë dhe numrin e golave të shënuara, Shqipëria renditet në vendet e fundit duke lënë pas vetes vetëm Azerbajxhanin, Kazakistanin, Andorrën, Moldavinë, San Marinon, Ishujt Faroe dhe Gjibraltarin.

E në një moment që Reja vjen për të ndryshuar fytyrën e Shqipërisë dhe jepen rezultatet e para pozitive, menjëherë do të nisin kundërshtitë edhe nga disa njerëz që fundja duke e njohur mirë të kaluarën, nuk munden moralisht që të dalin kundër. Po Reja çfarë ka prodhuar me lojën e tij dhe statistikat? Atëherë shkojmë që të shohim pak Sokol Cikalleshin. Shpeshherë trajneri kritikohet për aktivizimin e këtij lojtari, por çuditërisht në epokën e Rejës është arritur që me Cikalleshin të shënohen 10 gola në 14 ndeshje të luajtura prej tij(shënim: “Këtu kemi hequr ndeshjen me San Marinon, u aktivizua në minutën e 88). Atëherë, sa lë vend lë që të ne të vendosim me shpatulla pas murit Rejën ku një sulmues me të në pak kohë realizon 10 gola, ndërsa në gjithë historikun tonë si Kombëtare kemi golashënuesin më të mirë me 18 gola? Paradoks! /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *