Paradoksi/ Dashuria e Gaz Demit! Sormani refuzoi kontratën e përjetshme te Partizani, pas 2 muajsh duan “kokën e italianit”

“Zgjedhjet te Partizani nuk i bëj vetëm unë, por Sormani ishte dashuria ime”. Kështu do të shprehej presidenti i të kuqëve Gaz Demi, teksa do të rikthehej trajneri italian mes optimizmit në krye të kryeqytetasve. Kalendari do të niste me një malore dhe këtë herë zë vend një shprehje e njohur popullore: “Dielli duket që në mëngjes”.

Rrezet e Sormanit nuk të ngrohnin, përkundrazi, ishin të vakta. Partizani do të humbiste ndaj Skënderbeut dhe Kukësit në ndeshjet e para, do të eliminohej nga Kupa e Shqipërisë nga Besëlidhja dhe do të humbiste një derbi me Tiranën 5-1. Në një bilanc të përgjitshëm, Partizani do të shkonte nga 2 pikë larg kreut, në 15 që gjendet aktualisht.

Pra duke e mbyllur thuajse përfundimisht në garën për titull. Shumë tifozë dhe figura të njohura të Partizanit kërkojnë largimin e menjëhershëm të Sormanit, pas vetëm 2 muajsh nga ardhja e tij. Por kontrata e italianit është 2 vite e gjysmë te Partizani.

Madje paradoksale është fakti se asokohe, pra dy muaj më parë, Gaz Demi do të shprehej: “Këtë herë si zotëri që është, Sormani na kërkoi ai ne. Jemi ulur unë, ai dhe Olsi, 20 orë dhe ramë dakord. Kemi qëndruar 20 orë bashkë, Olsi 18 e unë 2 orë. Kam shumë respekt si unë për të, si ai për mua. Kontratën e kemi afatgjatë, është dy vite e gjysmë, desha ta bëja edhe më të madhe, por Sormani u mjaftua edhe me kaq duke e kërkuar të tillë”. Pra trajneri italian mund të ishte përjetësisht te Partizani. Ndoshta u gjend në kohën e gabuar, pasi këtë ecuri të Sormanit te të kuqtë, nuk e priste as skeptiku më i madh. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *