Shaqir Tafa ishte një prej prurjeve të Tiranës në merkaton e verës që erdhi me shumë bujë te bardheblutë. Mbrojtësin e kemi parë më herët duke përfaqësuar Shqipërinë U-21 dhe ishte një lëvizje prej të cilës pritej shumë në kampionatin shqiptar. Pas stërvitjeve të shumta dhe aktivizimeve në miqësore, Shaqir Tafa duhej që të largohej.
Disa probleme burokratike i hoqën këtij lojtari mundësinë që të luante për Tiranën, pasi nëse bardheblutë do ta aktivizonin në një ndeshje zyrtare atëherë duhej të paguanin shifra të larta për formimin e tij. Për këtë arsye do ta mbyllte aventurën në kampionatin shqiptar pa e nisur ende mirë, ndërsa aktualisht Tafa është në kërkim të klubit të ri. Në një intervistë për mediat italiane, mbrojtësi kërkon me patjetër eksperiencën e re, në mënyrë që të ëndërrojë ende për Kombëtaren.
“Pas mos regjistrimit të Sicula Leonzio në Lega Pro, unë kisha vendosur ta rinisja nga Shqipëria. Isha lojtari me më shumë paraqitje te Shqipëria U-21 dhe në gusht kisha nënshkruar me Tiranën, në elitë, por në kohën e regjistrimit të kontratës dolën disa probleme burokratike. Kështu pas muajsh stërvitje dhe miqësore, marrëveshja dy-vjeçare që kisha në xhep u zhduk. Gazetat shqiptare folën gjithashtu për këtë problem, por fatkeqësisht atje nuk kishte asgjë për të bërë. Kështu që u ktheva në Itali, duke shpresuar të isha në gjendje të luaja për të katërtin vit radhazi Serie C.
Pasi u rrita në Palermo, u dërgova në huazim fillimisht në Monopoli dhe më pas në Cuneo. Pas falimentimit që ndodhi unë nënshkrova me Sicula Leonzio. Pjesa që nuk u rregjistrova te Sicula Leonzio më solli edhe kalimin bosh te Tirana. Kam dy pasaporta në xhep pasi kam luajtur me Italinë U-17, pastaj me Shqipërinë U-21 që më thirri dhe iu bashkova. Jam në pritje të debutimit me ekipin e parë, por nëse nuk do të luaj, atëherë është e vështirë. Dua të kthehem sërish në një skuadër pas zhgënjimit me Tiranën. Kam shumë dëshirë që të tregojë vlerat e mia dhe menaxherët do ta gjejnë zgjidhjen sa më shpejt”, ka thënë Tafa. /Sport Ekspres/