Trajneri i kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi, është paraqitur sot para gazetarëve, për të folur për miqësoren kundër Norvegjisë, në program më 26 mars (19.00). Trajneri italian ka shpjeguar zgjedhjet e tij, duke nisur nga lënia jashtë e kapitenit Agolli e deri te grumbullimi i Sadikut dhe disa lojtarëve të rinj, si Bujar Lika. Refuzimi i Zhegrovës mbetet temë e rëndësishme…
AGOLLI – “Është 36 vjeç, më duhet të mendoj edhe për të ardhmen. Kam folur me Agollin, do të jetë gati dhe do ta grumbulloj sa herë të kem nevojë për të, por në Europianin e ardhshëm do të jetë 38 vjeç. Më vjen keq, do të doja ta kisha stërvitur kur ishte 26-28 vjeç, por tani nuk është më edhe aq i ri dhe më duhet të bëj disa llogari. Kemi Lenjanin, Memollën e të tjerë, Agolli tashmë ka nevojë për një pasues dhe jemi të mbuluar”.
KAPITENI – Ditën që u prezantova këtu, thashë që është shumë e thjeshtë për të kuptuar se cili do jetë kapiteni, ai që ka më shumë ndeshje nga skuadra që do të zbresë në fushë.
MOSHA MESATARE – “Grupi po formohet. Baza është, mosha mesatare është 25 vjeç, prej tani deri në qershor do të provoj lojtarë të rinj, 26-28 lojtarë do të jetë numri i lojtarëve bazë për kualifikueset”.
SKEMA – “Sadiku po luan pak dhe është problem. Kemi një javë kohë për të punuar edhe fizikisht. Do të shohim Balajn dhe Cikalleshin, janë sulmues që më pëlqejnë, me tipare të ndryshme. Skemën do ta shohim në vazhdim.
GURI DHE JO SADIKU – “Kam zgjedhur Sadikun, se është një lojtar që jeton brenda zonës, është shumë i rëndësishëm për ne. Nuk është në maksimumin e vet, por i duhet dhënë besim, sepse edhe Aliji nuk kishte skuadër dhe e mora, ndërsa më pas gjeti ekip. Një bazë e kemi”.
SUPERIORJA – “Jam trajner i Shqipërisë dhe është normale që ta ndjek Superioren. Abazaj, Gavazaj, janë lojtarë që më pëlqejnë, luajnë mirë në lojën një kundër një, janë të përshtatshëm për lojën tonë. Po paraqiten mjaft mirë dhe tashmë duhet të tregojnë që janë për kombëtaren. Ata janë sinjal se kush paraqitet mirë në Superiore, e ka derën të hapur në kombëtare. Nuk kam asnjë kompleks”.
ZHEGROVA – “Kam biseduar me lojtarin, e donte Shqipërinë, por më pas prindërit në shumë raste janë shkatërrimi i fëmijëve”.
LIKA – “Luan te Grasshopers këtë vit, e kam ndjekur, ka luajtur titullar. Kam grumbulluar Hysajn dhe Balliun deri tani, ndërsa këtë radhë vendosa të provoj Likën dhe të lë pushim Balliun.
GRUPI – “Do doja të kisha 50 lojtarë shumë të mirë. Dua një grup të bashkuar, pa preferenca, sa më shumë lojtarë të mirë të kemi, aq më mirë, nuk shoh askënd nga emri, bukuria, etj”.
MIQËSORJA – “Unë po bëj një punë ndryshe nga De Biazi, një lojë ndryshe. Do të doja të fitonim, por duke luajtur mirë, që është kryesorja. Duke përfshirë 4-5 lojtarë të rinj, dua t’i shoh në stërvitje dhe të shohim një rritje cilësore të cilësisë. Në Turqi pashë dy lojtarë shumë cilësorë si Lilaj e Ramadani, ndërsa tani do të kemi edhe lojtarë të tjerë cilësorë si Abazaj e Gavazaj. Këta, së bashku me lojtarë si Qaka, Lilaj, Ramadani e Lika bëjnë që cilësia në stërvitje rritet. Lojtarë si Andi Lila janë shumë të rëndësishëm, sepse fizikisht është i fortë dhe na duhen lojtarë të tillë, pasi ka ndeshje ku kemi rënie”.
ABAZAJ – “Dua ta shoh në veprim me kombëtaren. E kam ndjekur, isha në dyshim nëse do ta merrja apo jo, më pas vendosa ta grumbulloj dhe është diçka e mirë që talentet kalojnë nga U-21 te ekipi i parë. Bashkëpunimi me Alban Bushin është shumë i ngushtë, për Ramadanin e kisha njoftuar, ndërsa për Abazajn prita pak. Në Turqi Ramadani ishte i grumbulluar me ekipin kombëtar A, por vendosa t’ia le Shqipërisë U-21, ndërsa tani kam për detyrë t’i shoh të gjithë”.
NJË NDESHJE – “Kam zgjedhur vetëm një miqësore sepse dua të punoj me skuadrën. Lila ka luajtur pak, Latifi pak, Sadiku pak, Mavraj pak, ndaj dy miqësore nuk më vlenin. Cikalleshi ka luajtur gjysmat e ndeshjeve, Latifi, Mavraj, Balaj kanë luajtur më pak se 40%, ndaj duhet të stërviten së bashku”.
E ARDHMJA – “Kam parë shumë lojtarë, ndokush është i dëmtuar, ndokush ka refuzuar të vijë në kombëtare. Gjithsesi, jam i bindur se me këtë ekip mund të shkojmë në Europian”.
STRAKOSHA APO BERISHA – “Diçka e bukur kur duhet të zgjedhësh mes dy lojtarësh të nivelit të lartë. Jam shumë i qetë, sepse të dy janë titullarë, po luajnë mirë. Deri tani ka luajtur Berisha, sepse edhe në ndeshjen e fundit Strakosha ishte i dëmtuar”.
REFUZIMET – “Emrat nuk i them dot. Një e thashë, Zhegrova, i cili tha ‘po’ fillimisht dhe më pas tha ‘jo’. Nuk është e drejtë të them emra, për statusin e tyre personal, për situatat që i kanë çuar te këto vendime. Kush më thotë ‘jo’, nuk vjen më në kombëtare, uroj të luajnë gjetkë. Edhe grupi aktual më mjafton. Në jetë secili bën ç’të dojë, të shkojë te Brazili apo kudo tjetër, por duhet të kenë b… që të zgjedhin vetë, jo të vendosin babi, mami, xhaxhai e me radhë”.