Trajneri i Shqipërisë, Kristian Panuçi, ka folur sot, në prag të sfidës kundër Ukrainës, në program të dielën, ora 16.00, në Evian të Francës. Një moment jo i mirë për Shqipërinë, pas humbjes ndaj Kosovës dhe një seri ndeshjesh të dobëta.
Panuçi është i bindur se skuadra do të bëjë autokritikë nesër: “Jam i bindur që nesër do të nxjerrim në pah krenarinë dhe dëshirën për të bërë mirë dhe më pas do të shkojmë me pushime. Kemi folur dhe jemi përballur, ndaj besoj se jemi të gjithë koshientë që kemi bërë një ndeshje të shëmtuar ndaj Kosovës.
“Mos ndoshta ishte menduar më e lehtë ndaj Kosovës? Jo, në futboll ndodh që të përjetosh një “black out” dhe këtë përjetuam edhe ne me Kosovën. Kam parë në sy lojtarët e mi dhe jam i bindur që me Kosovën nuk ishin ata që unë njoh. Të gjithë ishin të mërzitur për paraqitjen dhe në të tilla raste, duhet ulur koka për të punuar dhe për të reaguar”.
“Nëse nuk vjen ky reagim? Pas ndeshjes do të flasim, por jam i bindur që nesër do të bëjmë një ndeshje shumë serioze. Në futboll mund të fitosh, barazosh apo të humbësh, por jam i bindur që nuk do të përsëritet ndeshja me Kosovën.
“Ndryshime në formacion e vendosje? Diçka duhet të bëjmë. Nuk dua të përcjell justifikime, por këta janë lojtarët që kemi të grumbulluar dhe kemi mungesa. Megjithatë, do të provojmë të ndryshojmë diçka.
“Kombëtarja nuk është një vend pune, ç’kuptim ka? Lojtarët e kuptuan vetë që nuk u treguan seriozë ndaj Kosovës. Unë desha t’i prek pak në sedër”.
“Trajneri i Ukrainës ka kërkuar anulimin e miqësores? Kam folur me Shevçenkon dhe ishim dakord që fusha në Evian nuk është i një niveli të lartë. Gjithsesi, është një terren ku mund të luhet mirë futboll dhe mua më intereson të shoh skuadrën time të luajë mirë dhe të tregojë vlerat në fushë. Duhet të rikuperojmë imazhin tonë si persona seriozë dhe do ta bëjmë, nuk ka rëndësi nëse janë 10, 100 apo mijëra persona të pranishëm.
“Këtë radhë pa tifozë? Të kesh tifozët është gjithnjë e bukur, por ne duhet të përqendrohemi në fushë. Duhet të tregojmë se nuk jemi ata që luajtën ndaj Kosovës dhe kemi shumë motive për të bërë mirë, janë edhe njerëzit që shohin në televizion. Kemi shumë arsye për të bërë mirë”.