Panuçi nis ristrukturimin, mosha mesatare do të ulet

 

Pesë vjet më parë, Xhani de Biazi bëri revolucionin, duke ndryshuar një brez të vjetër me një të ri: bazat solide janë dhe pasuesi i tij ka punë vetëm për të fuqizuar repartet që kanë nevojë

Nga Anton Cicani

“Roma nuk u ndërtua në një ditë…”. Sa herë duam të shpjegojmë se te arrish suksesin kërkon kohë kapemi fort pas kësaj shprehje. Nuk ka motiv të mos e bëjë as Kristian Panuçi, trajneri i Shqipërisë, që nën hijen e Koloseumit madhështor kaloi ndër momentet më të bukura të karrierës, teksa mbante veshur fanellën verdhekuqe. Duhet durim dhe punë për të ndërtuar diçka me baza, ashtu sikurse bëri Xhani de Biazi që shtroi rrugën tek e cila po vazhdojmë të ecim, edhe pse kemi pasur edhe pengesa e shpesh kemi rënë. Megjithatë, jemi ende aty, duke kompletuar revolucionin e plotë. Edhe pse, ia vlen të theksohet, Panuçi ka një punë relativisht më të lehtë se sa paraardhësi i tij, i cili u gjend përpara një ndërrimi brezi dhe duhet të ndërronte lëkurën e një kombëtare, mes brezit të vjetër dhe të ri. Ndërsa, vepra e Panuçit do të jetë më shume si një ristrukturim se sa një revolucion. Kështu, duhet theksuar se ish mbrojtësi i Romës do të përpiqet që veç lojës sulmuese të pasurojë grupin edhe me më shumë cilësi, pasi sasia vetëm sa do të krijonte më shumë bollëk se sa do të sillte zgjidhje problemesh.

Mosha – Nëse do të ktheheshim mbrapa në kohë dhe do të analizonim vitin e parë te Xhani de Biazit, në tabelën e ftesave do të rezultonin 48 futbollistë të provuar në eksperiencën e tij të parë kuqezi. Sakaq, mosha mesatare, sipas përllogaritjeve, është e përafërt me 28,5 vjeç. Dhe, nëse shihen komponentët aktualë që ka grumbulluar trajneri Panuçi, mosha mesatare, duke llogaritur 30 futbollistë, është 27,5 vjeç. Një ulje 1,5 vjeç, që mund të shkojë edhe më shumë, duke qenë se në të ardhmen disa futbollistë si në këtë rast Burim Kukeli (33-vjeç) apo kapiteni Agolli (35-vjeç) mund të japin lamtumirën. Duke u kthyer në kohë, sakaq, nga lojtarët e ftuar në vitin e parë të De Biazit, vetëm 9 prej tyre janë ende sot në xhiron e kombëtares: Berisha, Mavraj, Hysaj, Abrashi, Agolli, Lila, Hyka, Sadiku, Roshi.

Miqësoret – Pikërisht tani nis puna e ristrukturimit dhe, përveç miqësores ndaj Norvegjisë, FSHF është duke u munduar që të gjejë një tjetër kundërshtar, mundësisht evropian, pasi Panuçi e kërkon të tillë. Do të kapet një nga skuadrat e vendit të tretë në grupet e eliminatoreve, për të qenë “kockë e fortë”. Në këto miqësore, që do të mbyllin vitin, mund të ketë surpriza dhe, në një farë mënyre, do të ketë hapësira edhe për ata që nuk patën mundësi, si Emanuele Ndoj, Ivan Balliu, apo edhe Liridon Latifi.

Rolet – Por, le të kthehemi te mini-revolucioni i Panuçit, edhe pse “baza është solide” vazhdon të vijojë trajneri. Në fakt, përveç guximit që është duke injektuar, duke hequr kështu “autobusin e famshëm” italian, një filozofi e vjetër, ish-mbrojtësi do të nisë turin e tij dhe brenda një muaji uron që të shohë dhe të dallojë talente të tjera, por edhe të përforëcojë bindjet e tij për disa lojtarë. Duke përjashtuar portën nga “kërkimi” (Berisha, Strakosha, por edhe Hoxha e Koliçi mjaftojnë për një rol specifik, ku vështirë të ketë rrotacion, përveç se në rastet e dëmtimeve dhe dënimeve).

Në mbrojtje, me liderin Mavraj, konfirmimin në nivele të larta të Hysajt, por edhe rritjen e Arlind Ajetit dhe Frederik Veselit, pa harruar Gjimshitin, krahu që po vuan për alternativa është i majti. Kapiteni Agolli nuk është më një djalë i ri dhe duke qenë se luan në tre kompeticione me klubin, kombëtarja i shtohet peshës së fizikut së tij dhe rrezikohen dëmtime. Alternativa e momentit, Hysen Memolla nuk bind ende, i duhet kohë. Ndërkohë, si Aliji, ashtu edhe Lenjani kanë mbetur “meteorë”. Mund të provohet, nëse vazhdon kështu, edhe mbrojtësi i majtë i Skënderbeut, Gledi Mici.

Sakaq, një dorë, mund edhe të vijë nga U-21 i Shqipërisë. Leonardo Maloku, edhe pse ende i ri, po tregon me kombëtaren Shpresa se ka brum. Nga mbrojtja në mesfushë, aty ku padiskutim së shpejti do të shohim Kejdi Baren, Emanuele Ndojn, por edhe Qazim Laçin, që është duke shkëlqyer. Duke ditur se Migjen Basha, Kukeli, por edhe Lila e disa të tjerë kanë hyrë në një moshë që karriera merr drejt rënies dhe nuk ndihesh më i ri, mund të ketë prurje të tjera. Në krahë, ndërkohë, rritja eksponenciale e Abazajt mund të bindë Panuçin që ta ftojë edhe me kombëtaren e madhe, ndërsa sulmi, për momentin, gëzon shëndet me Sadikun dhe Cikalleshin, pa harruar Balajn. Të tre janë në kulmin e moshës dhe mund të japin shumë.

28,5 vjeç ishte mesatarja në kohën kur De Biazi mori kombëtaren dhe ftoi 48 futbollistë në vitin e parë të punës

27 vjeç është mesatarja aktuale e skuadrës kuqezi, por pritet që të bjerë edhe më shumë, pasi do të dalin, pak nga pak, nga xhiro kuqezi disa senatorë

10 lojtarë janë ende pjesë e kombëtares, që prej vitit kur De Biazi mori drejtimin, në 2012-n

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *