Panuçi kthehet te skema e zakonshme ndaj Ukrainës

Abazaj nuk rikuperon dot, ndërsa Lenjani merr krahun e majtë në mesfushë. Lilaj organizatori përpara mbrojtjes, ndërsa në sulm ka dilemë mes Manajt dhe Balajt

Miqësorja ndaj Ukrainës duhet të “fshijë” humbjen e thellë ndaj Kosovës, pasi është i vetmi rast që kuqezinjtë të tregojnë se ai në Zvicër ishte një aksident dhe asgjë më shumë. Por, përtej rezultatit, trajneri Panuçi kërkon që të shohë më shumë angazhim, besim dhe sidomos guxim te të tijtë, pa harruar dëshirën dhe shpirtin e sakrificës.
Sakaq, trajneri ka eksperimentuar me formacionin, dhe priten emra të rinj si dhe një rreshtim tjetër për skuadrën. Berisha konfirmohet në portë, ndërsa Veseli do të provohet nga e majta mbrojtjes, e Hysaj i djathtë, dhe Gjimshiti e Mavraj në qendër.

Në mesfushë pritet Lilaj para mbrojtjes, e Ndoji e Ramadani në qendër, ndërsa Roshi në të djathtë, dhe me Lenjanin që duket i rikuperuar, ky i fundit pritet ta nisë i majtë. Në sulm, Manaj është provuar, por natyrisht që është vetëm eksperiment, pasi ai vend do t’i takojë me shumë mundësi Balajt. Shqipëria sot do të udhëtojë drejt Francës, në Evian, ku të dielën do të përballet me Ukrainën.

Abazaj veçmas – Vazhdon të ketë shqeqësime lojtari i ri i Anderlehtit, i cili duket i pafat në këtë grumbullim, sepse mund ta niste nga minuta e parë si titullar, por ndoshta sezoni i lodhshëm dhe i gjatë ka qenë ai që ka ndikuar, duke mos harruar që te bluzinjtë ishte edhe “lokomotiva” e vërtetë. Ai është stërvitur veçmas dje në Zvicër, teksa ndoshta sot do të shkojë në tribunë, në bazë të asaj që mjekët do të thonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *