Trajneri i Kukësit, Peter Pakult, mendon për Flamurtarin, jo për dënimin e Skënderbeut nga UEFA, që automatikisht çon në Champions League vendin e dytë në Superiore, duke e marrë të mirëqenë tashmë që titulli është i Skënderbeut.
“Është marrë një vendim, do merren dhe të tjera, nuk duhet të mendojmë për këtë pjesë. Për momentin është me rëndësi që ndodhemi të dytët dhe ta mbajmë atë pozicion. Kamza dhe Laçi janë rivalët e ndeshjeve të ardhshme dhe duhet të bëjmë mirë. Po diskutohet shumë për Champions dhe është gjë e mirë kur e ke në kokë si objektiv. Në Austri është një shprehje: për vezën që nuk janë bërë, nuk flitet. Nëse nuk janë aty nuk kemi çfarë themi”, shprehet Pakult, i cili kërkon përqendrim te Flamurtari, duke vendosur edhe objektivin.
“Nesër kemi një ndeshje me një ekip konkurrent për Europën. Duhet të ruajmë të paktën diferencën. Presioni është mbi Flamurtarin, pasi duke parë tabelën dhe faktin që ishin të dytën dhe janë tetë pikë poshtë nesh tani. Ata kërkojnë me çdo kusht fitoren. Do tentojmë ta ruajmë diferencën, ose ta rritin. Lojtarët e dëmtuar u kthehen aty dhe mendoj se do të jetë një ndeshje interesante. Mendoj se ndërprerja e kampionatit ka ndihmuar më shumë Flamurtarin, pasi ka pasur dëmtime. Edhe neve na erdhi në një moment të mirë. Nuk e kemi numrin e lojtarëve të madh dhe mendoj se në 2-3 ndeshjet e ardhshme do shihet se kujt i ka bërë mirë dhe kujt jo”.