Pakult nuk bën shaka, 120 sekonda vlejnë 4 xhiro vrap

Tekniku i Kukësit dje u ka treguar të tijve se sa shumë vlen për të korrektësia, 120 sekonda vonesë për të meritojnë “ndëshkim”

Jurgen Zela

Kukësi vijon me dy seanca në ditë përgatitjet për ndeshjen e javës së 17-të, që përkon me takimin e parë për vitin 2018, por dhe debutimin e trajnerit të ri Peter Pakult në krye të skuadrës. Pas një faze përgatitore mjaft të suksesshme, verilindorët janë kthyer në Tiranë ku nuk e kanë ulur aspak ritmin. Me trajnerin austriak gjërat kanë ndryshuar për mirë, të paktën rezultatet e takimeve miqësore e tregojnë këtë gjë. Në skuadër shihet një tjetër atmosferë, ka më shumë optimizëm dhe mbi të gjitha besim. Një klimë e re, që te Kukësi i ka bërë që të shpresojnë se do të bëjnë më mirë se në dy fazat e para, madje dhe për të rikuperuar distancën prej 12 pikësh me ekipin e Skënderbeut që kryeson kampionatin. Gjërat po shkojnë mirë në dukje dhe të gjithë presin ndeshjen me shkodranët për të parë se ku skuadra është vërtet.

DISIPLINA
Siç lojtarët e përshkruajnë, por dhe siç reflektohet nga atmosfera, Pakult i ka bashkuar lojtarët dhe të gjithë ndihen komod me trajnerin e ri. 58-vjeçari është mjaft serioz në stërvitje, po aq sa dhe i qeshur e plot batuat pas saj. Megjithatë, si të gjithë trajnerët e tjerë, ka disa rregulla që kërkon që të zbatohen me përpikëri. Një ndër to është dhe disiplina, ose më saktë zbatimi i orareve që ai vendos. Diçka të tillë lojtarët e mësuan nga vetë timonieri i skuadrës në Antalia, por nuk kishte pasur një rast ku vetë Pakult të demonstronte se në këtë pikë nuk toleronte aspak. Për seancën e paradites, Pakult u kishte komunikuar lojtarëve përmes ndihmësve të tij se të gjithë duhet të ishin në orën 09:40 në kompleksin “Internacional” në mënyrë që në orën 10:00 të niste stërvitje. Edhe pse dihet që fusha ku stërvitet Kukësi është larg kryeqytetit, kjo nuk ka shumë rëndësi për numrin 1 të pankinës dhe lojtarët duhet të marrin masa. Dje ka ardhur dhe rasti i parë që Pakult ka bërë shembull disa lojtarë për një vonesë prej 2 minutash, ose më saktë diçka më pak se 120 sekondash. Hoxha, Ethemi, Joti, Koldashi, Kale, Idrizi dhe Shkodra, kanë pasur disa xhiro vrap më shumë në fund të seancës stërvitore, pasi mbërritën në kompleksin “Internacional” në orën 09:42. Edhe pse fillimisht nuk ju ka thënë asgjë, në fund të stërvitjes lojtarët kanë qëndruar pas pjesës tjetër të skuadrës për të kryer disa ushtrime më shumë. Është marrë me sportivitet nga lojtarët të cilët pas seancës stërvitore kanë bërë katër xhiro vrap rreth fushës. Një tregues real se Pakult nuk i njeh shakatë për sa kohë është në orarin e punës. Nga Milinkoviç te Pakulti, lojtarët kanë ndryshuar shumë, por rregullat mbeten rregulla, përtej shakave dhe afrimitetit që ka krijuar me lojtarët. Një “ndëshkim” i vogël, që i shërben si lojtarëve që u vonuan për të mos e përsëritur më, por dhe pjesës tjetër të skuadrës për të marrë shembull.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *