Tekniku i Kukësit flet për aventurën e tij te kampionët, teksa tregon dhe një herë që ende nuk e ka përfunduar studimin e tij për kampionatin shqiptar
Peter Pakult mori përsipër të shpëtonte sezonin e Kukësit dhe gjatë fazës në Turqi ekipi i është përgjigjur mirë. Dje, tekniku austriak ka zbritur në fushën sportive në Pezë-Helmëz, ku është njohur me terrenin ku do të përgatisë skuadrës. Austriakut i kanë mjaftuar pak orë që të mësojë rrugën drejt qendrës stërvitore. Pakult ka folur për të parën herë që pas prezantimit si kuksian, megjithatë edhe këtë radhë ka qenë mjaft i rezervuar, duke i shmangur komentet e gjata. I pyetur fillimisht se sa e njihte ekipin, Pakult shpreh besimin se gjërat janë në rrugën e duhur: “Jemi ende në fazën që po e njohim njëri-tjetrin. Gjithsesi, mund të them se çdo ditë po shkon mirë e më mirë”.
MERKATO – Merkato vijon të jetë e hapur dhe emri i fundit është ai i Dejan Glavicës. Tekniku i ri i Kukësit lë gjithçka të hapur për klubin, duke e kaluar topin në anën e tyre: “Po presim se si do të jetë zgjedhja e klubit e më pas do të shohim përpara”. Po ashtu, Pakult zbulon se deri të premten merkato e Kukësit mund të mbyllet: “Pres një futbollist në repartin ofensiv, besoj se deri të premten do të qartësohet gjithçka. Skënderbeun e ndoqa me Bursasporin, por nuk besoj se do të jetë ai që do të luajmë në kampionat”. Merkato mund të jetë e hapur dhe në dalje, me Rrumbullakun dhe Gurin, të cilët janë nën vëzhgim nga disa skuadra të huaja, megjithatë timonieri i skuadrës nuk zbulon asgjë: “Nuk kam informacion në lidhje me këto gjëra”.
OBJEKTIVAT – Presidenti Gjici beson ende te titulli kampion, matematika e lejon, por Pakult preferon që të qëndrojë me këmbë në tokë, duke kujtuar distancën me Skënderbeun dhe Flamurtarin: “Faktet janë që ne ndodhemi vetëm 3 pikë pas vendit të dytë dhe 12 pas vendit të parë. Do të përpiqemi që të marrim rezultate që janë më të mirat për ne”.
ZGJEDHJA – Në vitet e fundit trajneri aktual i Kukësit nuk ka pasur shkëlqim në Ballkan, megjithatë sërish zgjodhi që të provonte me Kukësin. Në lidhje me këtë temë 58-vjeçari tregohet i prerë: “Kam qejf të jem trajner, nuk i ndahem dot këtij profesioni”.
FUSHA – Terreni sportiv është një nga më problematikët në Shqipëri dhe Kukësi nuk ka kushtet që i takojnë një skuadre kampione, por kreu i pankinës e thotë hapur se edhe ai do të përshtatet si lojtarët: “Lojtarët e kanë ditur dhe janë ambientuar me këtë gjë. Edhe unë besoj se do të ambientohem”.
NDRYSHIMI – “Nuk mundem të parashikoj shumë, pasi unë e njoh skuadrën vetëm nga 4 janari. Ne do të shohim vetëm përpara”.
BATUTA – Donjet Shkodra ishte lojtari që ditën e djeshme kishte dhe rolin e përkthyesit për trajnerin austriak. Në fund një batutë nëse Shkodra ishte më i mirë si futbollist apo si përkthyes: “Donjet Shkodra më mirë si futbollist, jo si përkthyes”.
SKEMA – Për “RTSH Sport” tekniku Peter Pakult ka treguar diçka më shumë sa i përket pjesës së lojës që do të aplikojë skuadra e tij: “Testeve miqësore nuk u jap rëndësi, pasi kanë vlerë vetëm përgatitore. Shkoi mirë përgatitja dimërore, por duhet të përgatitemi për ndeshjen e radhës në kampionat. Në kokën time e kam të qartë sesi duhet të luajë Kukësi, por do të shohim sesi mund të përmirësohet kjo skemë. Kur të mbyllet përfundimisht merkatoja, atëherë do të jetë çdo gjë e qartë sa i përket skemave të lojës që do të praktikojmë”.