Nga Drilon Xhepollari
Kur ata vajtën për t’i përshëndetur si zakonisht dhe për t’i dhënë fanellat, gjetën refuzimin brutal. Kjo skenë, ato pamje, mungonin prej vitesh në ambientin kuqezi. Lojtarët u shtangën, as rrinin, as iknin. Kjo ishte panorama e një dite të errët të historisë së ekipit kombëtar.
Një histori e cila flet vetë, për atë që po ndodh në ekipin kuqezi. Kriza e rezultateve ka mbytur ambientin e kombëtares. Për t’i dhënë goditjen e nokuatit mendoi Islanda, e cila me një gol në frymëmarrjet e fundit tronditi kombëtaren.
Fishkëllimat e tifozëve në fund të ndeshjes ishin kambanë alarim për futbollistët, trajnerin Edi Reja, por gjithashtu edhe presidentin e FSHF-së, Armand Duka. Nuk ka ndodhur kurrë që tifozët t’i fishkëllejnë në këtë mënyrë futbollistët e ekipit kombëtar, kjo tregon qartë se kemi prekur fundin.
Pyetja e madhe që ngrihet në këtë momentet nga ambienti sportiv dhe jo vetëm është: A duhet të vazhdohet më me trajnerin Reja? Aventura e “gjyshit” me kuqezinjtë filloi me Islandën në 2019 dhe duket se do të mbyllet pikërisht me këtë kundërshtar. Sot pas tri vitesh pankina e italianit po lëkundet dhe madje fort.
Edhe ai është i vetëdijshëm se fundi ka trokitur, por nuk dëshiron të hap “portën” dhe të pranojë realitetin… Bilanci i Shqipërisë në këtë edicion të Ligës së Kombeve është skandaloz, me vetëm 2 pikë në 4 ndeshje dhe vend i fundit në Grupin 2. Ndonëse deklarohet se kemi futbollistë të nivelit të lartë, në fushë me përjashtim të vogla, pjesa më e madhe nuk e merr notën kaluese. Mungon shpirti luftarak, fryma e grupit, sakrifica, ka lojtarë që në vend të vrapojnë, ecin…
Atëherë kush mban përgjegjësi? Padiskutim i pari është trajneri, por edhe vetë futbollistët, Cikalleshi, i cili mbajti shirtin e kapitenit kundër ishullorëve foli qartë: “Nëse unë jam problemi, largohem”. Po kush është problemi i vërtetë? Ka ardhur momenti që të gjithë të mbajnë përgjegjësi, duke nisur nga trajneri Reja, i cili duhet të kuptoj se të gjithë faktorët janë kundër tij. Filozofia e tij e lojës, skema, vendosja në pozcione jo natyrale futbollistët, të paprekshimit në fushë, ka bërë që edhe brenda dhomave të zhveshjes të ketë pakënaqësi dhe në këtë rast i pari që larghet është trajneri. /zoom.al/